Lika dhe trajneri Bellai: Ja pse u vështirësua fitorja e Vorës me Pogradecin
Vora ka marrë një fitore mjaft të vështirë, pasi të tillë ua bënë pogradecarët që u mbrojtën me forca të shumta në prapavijë. Si asnjëherë tjetër, vorakët nuk kanë reaguar kaq të ngarkuar psikologjikisht për të nxjerrë një gol.
Mesfushori me tipare sulmuese, Gresild Lika nuk arrit të qetësonte skuadrën kur doli vetëm për vetëm me portierin, pasi topi i harkuar prej tij kaloi mbi portierin dhe preku shtyllën. “Nëse ai do të ishte gol, do të shihnit një skuadër tjetër dhe një reagim agresiv të Vorës. Mesa duket kjo sikur na e shtoi edhe më shumë ngërçin për të shënuar. Gjithsesi, Vora nuk do ta diskutojë në asnjë ndeshje të radhës fitoren, kjo të paktën deri në fund të vitit”, u shpreh Lika për “Panorama Sport”.
Arian Bellai- Trajner i Vorës, Arian Bellai, pas fitores së vuajtur nga Pogradecit, ku goli i vetëm u shënua me penallti, për gazetën tregon problemet që ka skuadra e tij ndaj Pogradecit. “Me Pogradecin ishte një ndeshje e vështirë, pasi ekipet që kanë objektiva të ndryshëm nga ne, luajnë të ngjeshur prapa dhe ta bëjnë të vështirë shënimin e golit. Rastet i patëm, por nuk na mungoi qetësi për të nxjerrë golin. Ndjemë vështirësi edhe psikologjikisht. Kur kundërshtari merr krahë, ngjishet në mbrojtje. Edhe në pjesën e dytë Pogradeci u mbrojt shumë mirë, duke mos lënë hapësira afër zonës.
Më pas, e rritëm presionin derisa erdhi momenti i penalltisë. Në fund të fundit e rëndësishme është që ne e fituam këtë ndeshje mjaft të vështirë, jo nga kundërshtari, por nga mbyllja e lojës sonë për të dhënë zgjidhje. Ishte e vështirë kjo ndeshje, sepse Pogradeci erdhi këtu për të marrë diçka nga kjo fushë. Deri diku ia arriti, jo pse nuk na rrezikoi, por i bëri lojtarët tanë të mos ishin të qetë para portës. Këtë gjë ne duhet ta zgjidhnim më thjeshtë, që në pjesën e parë. Ne e kemi të qartë se të gjitha ekipet në fushën tonë, kështu do të sillen e të luajnë ndaj nesh”, u shpreh trajneri Bellai
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"