Lila: Pogradeci meritonte një pozicionim më të mirë, me dy-tre perforcime do të jemi ndryshe në 2025-ën
Pogradeci e mbylli 2024-ën me barazimin 1-1 ndaj Vorës në “Gjorgji Kyçyku”. Pas 17 javësh, skuadra pogradecare u rendit në vendin e gjashtë me 23 pikë, 7 fitore, 2 barazime dhe 8 humbje dhe me golavarazh 14-20. Nga 23 pikët e grumbulluara, 19 janë marrë në shtëpi.
Nëse i referohemi jo vetëm shifrave, por dhe ecurisë në tërësi të skuadrës, Pogradeci ka zhvilluar ndeshje me luhatje. Humbjet ndaj Besës dhe Burrelit në shtëpi janë konsideruar hapa fals. Në një prononcim për “Panorama Sport”, një nga titullarët e skuadrës, Vilson Lila, bën rezymenë e skuadrës liqenore. “Pavarësisht ndonjë luhatje, skuadra në tërësi ka zhvilluar ndeshje të mira. Me pak kujdes do të kishte tjetër renditje. Tashmë, gjithçka ka kaluar dhe vëmendjen duhet ta përqendrojmë te ndeshjet që do të kemi në vazhdim”, u shpreh fillimisht Lila.
Ndeshja e së dielës ndaj Vorës u karakterizua nga lufta e fortë sportive. Barazimi i arritur në fund të sfidës bëri që skuadra pogradecare t’i gëzohet marrjes së një pike. “Ishte një ndeshje e luftuar nga të dy ekipet. Kishim epërsi ndaj kundërshtarit. I vetmi defekt i skuadrës sonë ishte mosshfrytëzimi i rasteve të krijuara. Nëse analizojmë në tërësi ndeshjen, skuadra prodhoi lojë, kjo e shoqëruar me raste për shënim”, u shpreh mbrojtësi Lila, i cili u bashkua me Pogradecin pasi kishte nisur sezoni aktual. Në fund, ai pohon se me dy-tre përforcime, skuadra do të ketë një profil ndryshe në vazhdim. Përgatitjet e liqenorëve do të vijojnë deri më 29 dhjetor, për t’u rikthyer në ditët e para të janarit.
NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"