Lituanezi Ruzgis i kënaqur me Shqipërinë: Vora e ka nisur mbarë, në Vlorë për të tretën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2024 | 15:40

Lituanezi Ruzgis i kënaqur me Shqipërinë: Vora e ka nisur mbarë, në Vlorë për të tretën

Vora i mbylli me 6 pikë të plota dy ndeshjet e para në shtëpi dhe mesjavën tjetër i pret transferta e parë, ku do të udhëtojnë drejt Vlorës për t’u përballur me një rival direkt si Flamurtari. Që nga e hëna ekipi në drejtimin e trajnerit Bellai ka nisur punën për këtë “provë zjarri” në Vlorë.MANFRED RUZGIS VORA

Merkato e Vorës ka qenë e goditur këtë verë, me qëllimin që të ndërtohej një skuadër më e fortë sesa ajo e sezonit të kaluar dhe atë që nuk e arritën në sezonin e fundit ta bëjnë realitet tani. Një nga përforcimet e fuqishme të vorakëve në merkaton që sapo u mbyll, konsiderohet qendërsulmuesi lituanez, Manfredas Ruzgis. 27-vjeçari i formuar si futbollist në Gjermani, luan për herë të parë në Shqipëri dhe ndjehet mjaft i lumtur. Në fitoren 2-0 kundër Kukësit, Ruzgis gjeti golin e parë me fanellën e Vorës dhe në lidhje me këtë aventurë të re, për “Panorama Sport” u shpreh:

“Është hera e parë që vij në Shqipëri. Më kanë folur shumë në Gjermani, ku jam takuar edhe me shqiptarë të tjerë, që është një vend i bukur. E këtë tani po e shijoj edhe vetë si lojtar i Vorës. Ishte projekti dhe objektivat e Vorës, arsyet që unë pranova të vij nga kampionati lituanez dhe të fitoj edhe një përvojë të re në futbollin ballkanik. Me Vorën jemi paraqitur mjaft mirë në dy takimet e para, por tani kemi një transfertë të vështirë, në Vlorë. Unë nuk e njoh skuadrën e Flamurtarit, po me sa kam dëgjuar ajo është pretendente, ashtu si dhe Vora. Prandaj ky takim merr rëndësinë maksimale nga skuadra jonë. Sezonin e kemi nisur mbarë. Kemi fituar dy takimet e para, pse jo të mos tentojmë edhe të tretën radhazi në Vlorë”.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"