VIDEO/ Egnatia ka harruar si shënohet, Partizani hakmerret duke e mundur në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2024 | 23:48

VIDEO/ Egnatia ka harruar si shënohet, Partizani hakmerret duke e mundur në shtëpi

Partizani ka kryer sot një hakmarrje të vogël për finalen e humbur në sezonin e kaluar, teksa ka mundur në shtëpinë e saj Egnatian, duke e kaluar në renditjen e Superiores në atë që ishte ndeshja e parë e javës së shtatë.

ismaili partizani

Të dy skuadrat vinin pas një barazimi zhgënjyes në kampionat në javën paraardhëse por në sfidën e sotme ishte Partizani që u shfaq shumë më ngulmues duke kërkuar golin dhe duke e gjetur atë me anë të Ismailit.

Më pas të kuqtë administruan me qetësi shifrat duke tentuar të mbanin larg portës rrogozhinasit, të cilët kanë humbur shkëlqimin e tyre në fazën ofensive. Goli në kundërsulm me Bintsuka në pjesën e dytë ia bëri punën më të thjeshtë kryeqytetasve të cilët rrallëherë u rrezikuan me Qirkon i cili u vu në vështirësi vetëm në minutat e fundit të ndeshjes, kur fati i saj ishte vendosur.

EGNATIA-PARTIZANI 0-2
20′ Ismaili, 60′ Bintsuka

NGJARJET KRYESORE

90’+6’ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-0 të Partizanit.

90’+6’ Xhoel nga e majta provon të gjejë portën por çon topin jashtë ngjitur me shtyllën.

90’+5’ Zejnullai me të majtën lëshon një gjuajtje që mposht Qirkon, por ndalet nga traversa e portës së të kuqve. (VIDEO)

90’+1’ Jahaja rrëzohet në zonë pas një kontakti me Ismailin, gjyqtari Hamiti bën shenjë që loja të vazhdojë. (VIDEO)

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

89’ Harkim nga e djathta në zonën e Partizanit ku Xhoel gjuan me kokë, por Qirko pret i qetë në pozicion. (VIDEO)

87’ Zeka i lë vendin ne fushë Kekos në fundin e ndeshjes.

86’ Zejnullai gjen hapësirën për të gjuajtur në zonë, por sfera devijohet nga Bytyçi dhe shkon jashtë.

85’ Jahaja nis Xhoel në të majtën, pasimi i tij në qendër largohet nga mbrojtja e të kuqve.

83’ Xhoel provon në kufijtë e zonës nga e majta e sulmit, topi shkon lart mbi traversë.

81’ Prej disa minutash iniciativa i ka kaluar Egnatias, por harkimet në zonë janë jo efikase, duke mos rrezikuar asnjë herë portën e Qirkos.

80’ Hadroj dhe Cara i lënë vendin në fushë Janjevës dhe Kotes.

74’ Rrapaj nga e djathta nis një top për Carën në një kundërsulm të shpejtë, Dobjani del dhe me këmbë largon sferën.

71’ Uotlai merr vendin e Ujkës në radhët e Egnatias.

63’ Zejnullai ka mundësinë të rrezikojë me një goditje dënimi, por tentativa e tij ndalet nga Sembene.

60’ GOOOL PARTIZANI! Kundërsulm i shpejtë i të kuqve me Bintsuka i cili i vetëm para Dobjanit nuk gabon duke dyfishuar shifrat. (VIDEO)

56’ Gjuajtje e fortë e Rrapajt nga distanca, sfera devijohet dhe shkon në këndore.

54’ Bintsuka ka mundësinë e mirë të finalizojë një kundërsulm të Partizanit, por gjuan shumë lehtë dhe çon sferën në duart e Dobjanit. (VIDEO)

52’ Rrapaj tenton direkt portën nga goditja e dënimit, topi përfundon jashtë katërkëndorit.

51’ Ahmetaj ndalon në mënyrë të parregullt Zekën pranë zonës dhe ndëshkohet me karton të verdhë.

48’ Ndreca shfaqet në të majtën dhe harkon në zonë, Qirko i vëmendshëm kontrollon topin.

46’ Pjesa e dytë nis me zëvendësime të shumta. Zejnullai, Kasa dhe Jahaja hyjnë në fushë në vend të Vuthajt, Ramës dhe Lushkjes për vendasit. Ndërsa te Partizani është Bintsuka i cili merr vendin e Mba.

45’+5’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin 1-0 të Partizanit.

45’+4’ Aksion i shpejtë i Egnatias me Ramën nga e djathta i cili pason me shumë forcë për Vuthajn. Ky i fundit arrin topin në anësore e më pas futet në zonë nga e majta dhe lëshon një gjuajtje shumë të gabuar. (VIDEO)

45’+1’ Cara hyn në zonë nga e majta, gjuajtja e tij shkon direkt në duart e Dobjanit.

45’ Jepen 4 minuta shtesë.

44’ Gjuan edhe Ujka nga distanca, me topin që kalon mbi traversë pa shqetësuar Qirkon.

43’ Pas një rivënie anësore të gjatë të Ndrecës, topi shkon te Vuthaj i cili tenton supergolin me një gjuajtje fluturimthi, por sfera shkon shumë lart mbi traversë. (VIDEO)

41’ Sulmuesi merr ndihmën e parë mjekësore dhe kthehet në fushë.

40’ Mba shkakton faull në fund, teksa dëmtohet vetë në momentin kur godet Alijev.

36’ Lushkja lëshon një harkim interesant në zonë në një goditje dënimi, mbrojtja e Partizanit largon pa shumë telashe rrezikun.

34’ Karton i verdhë edhe për Zekën pas një ndërhyrje ndaj Xhoel.

33’ Mehmeti nuk mund të vazhdojë më për shkak problemesh fizike dhe i lë vendin në fushë Taipit në radhët e të kuqve.

30’ Rrapaj lëviz mirë në zonë mes mbrojtësve por vonon gjuajtjen e tij dhe vendasit largojnë rrezikun nga prapavija.

27’ Tjetër gjuajtje e Zekës drejt portës me të majtën, Dobjani pret pa vështirësi.

25’ Vuthaj niset në duel shpejtësie me Sembenen drejt portës, mbrojtësi gjen momentin e duhur për ndërhyrjen dhe çon sferën në anësore.

23’ Rrapaj gjuan me të djathtën në kufijtë e zonës, topi shkon në duart e Dobjanit.

20’ GOOOL PARTIZANI! Pas një goditje këndi të harkuar nga Rrapaj, Mehmeti gjuan dhe çon sferën në këmbët e Ismailit i cili i vetëm para portës e shtyn në rrjetë. (VIDEO)

19’ Mba depërton përsëri në zonë, por para portës është Alijev i cili devijon në këndore.

17’ Bytyçi është lojtari i parë i ndëshkuar me karton të verdhë në këtë ndeshje.

16’ Rrapaj tenton golin direkt nga goditja e këndit, Dobjani kontrollon sferën në shtyllën e dytë.

15’ Top në thellësi për Mba, ndërhyrja e Malotës çon sferën në këndore.

10’ Mehmeti fiton topin pranë zonës kundërshtare dhe i vetëm gjuan, por çon sferën në duart  Dobjanit. (VIDEO)

9’ Zeka në pozicion ballor lëshon një gjuajtje të fortë nga jashtë zonës me të majtën, Dobjani devijon sferën mbi traversë me një grushtim spektakolar. (VIDEO)

6’ Dyluftim mes Zekës dhe Ahmetajt para zonës së vendasve me mesfushorin e Egnatias që ia del të marrë kontrollin e topit dhe fiton edhe faull.

3’ Ndreca depërton në zonë në krahun e majtë, Preka e ndal në mënyrë mjeshtërore dhe fiton edhe rivënien fundore. (VIDEO)

1’ Nis dueli në Rrogozhinë.

FORMACIONET ZYRTARE

EGNATIA: Dobjani, Alijev, Aleksi, Malota, Lushkja, Ahmetaj, Ujka, Rama, Vuthaj, Xhoel, Ndreca.

Trajneri: Edlir Tetova

PARTIZANI: Qirko, Hadroj, Preka, Sembene, Bytyçi, Mehmeti, Ismaili, Rrapaj, Zeka, Cara, Mba

Trajneri: Aleksandar Veselinoviç

WhatsApp Image 2024-09-27 at 14.40.10

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"