“Liverpulçja”, truku i famshëm i goditjeve të dënimit të 17 Nëntorit të viteve ’60-‘70. Ish-mesfushori tregon si lindi: Frashëri i tha Lym Allës “Profesor, a ta provojmë?”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2024 | 18:36

“Liverpulçja”, truku i famshëm i goditjeve të dënimit të 17 Nëntorit të viteve ’60-‘70. Ish-mesfushori tregon si lindi: Frashëri i tha Lym Allës “Profesor, a ta provojmë?”

Nga UVIL ZAJMI
Në historinë e përballjeve të mëdha, Britania e Madhe me katër shtetet e saj si Anglia, Skocia, Uellsi, Irlanda e Veriut dhe me disa klube të tyre si Kilmarnok, Sëlltik, Aberdin etj., kanë luajtur në stadiumin “Qemal Stafa”. Por, edhe Liverpuli i famshëm ka qenë i pranishëm në Shqipërinë e viteve ‘60-’70 në mënyra të tjera.

asddsadsadsadsadsasadads (1)

Së pari, me muzikën dhe këngët e grupit legjendar, “Beatles”, por edhe me atë që konsiderohet si “trick shot free kick”, që e konvertuar në gjuhën popullore sportive kujtohet si “liverpulçja” e Tironës apo “truku” i 17 Nëntorit. Kështu e përcaktonte edhe shtypi sportiv i kohës. “Gjithçka erdhi duke parë një ndeshje të Liverpulit, kur futbollistët e tij aplikuan atë skemë që rezultoi efikase. Pastaj ia propozuam trajnerit Lym Alla: ‘Profesor, pse të mos e bëjmë edhe ne këtë variant?’”, kujton sot për “Panorama Sport” një ish-futbollist i famshëm i 17 Nëntorit të viteve ’60-’70, Luigj Bytyçi.

GODITJA STANDARDE DHE “MBRETI” RESMJA
Jo gjithmonë një ndeshje fitohet me lojë të bukur, dominim, agresivitet, presing, spektakël, prepotencë, autoritet dhe gola. Në një 90-minutësh, mjafton edhe një episod që të fitohet një takim, qoftë goditje standarde apo rivënie anësore. Madje shumë skuadra, kur përballë kanë kundërshtarë të fortë, e ndërtojnë strategjinë e lojës për të shfrytëzuar një goditje dënimi direkte ose indirekte në afërsi të zonës. Dhe historia ka treguar se me një interpretim perfekt, ato kanë qenë përcaktuese në shumë sfida kombëtare dhe ndërkombëtare. Brazilianët janë të njohur për ekzekutime spektakolare dhe mjeshtërore falë virtuozitetit individual të futbollistëve që kanë. Por, aplikimi i disa skemave të tjera efikase, që kujtohen edhe sot, dallon mes tyre ajo që quhet “trick shot free kick”.

Në Shqipëri nuk kanë munguar skuadrat që kanë patur ekzekutues të goditjeve të tilla që në vitet ‘40. Madje në vitin 1946, Kombëtarja mori Kupën e Ballkanit me golin e realizuar nga kavajasi Qamil Teliti me një goditje standarde kundër Rumanisë. Për të vijuar me mjeshtrin Refik Resmja, sulmuesin e papërsëritshëm të Partizanit, që ishte unikal në stilin e tij me të majtën e hidhur dhe të pagabueshme në të tilla goditje. Saktësi dhe teknikë e lartë, duke i bërë portierët dhe mbrojtjet shpesh “viktima” të goditjes perfekte dhe befasuese. Të tillë ishin edhe mjeshtri dinamovit Skënder Jareci, si dhe vlonjati Mexhit Haxhiu. Të dy ishin shumë të rafinuar në goditjet standarde. Gjithashtu Halil Puka, sulmuesi i Vllaznisë, kishte një të majtë “vrastare” në goditjet e dënimit. Niko Bespalla ishte disi më ndryshe. Sulmues i Partizanit, Dinamos e Lokomotivës, kur vendoste topin në pikën e caktuar, zhvendosej mbrapsht, shoqëruar edhe nga numërimi publik i hapave nga tifozët: 12, 13, 14, 15. Te hapi i 16-ti ndalonte. Ai niste vrullin, pa parë vendosjen e portierit dhe lëshonte goditjen “bombë”. Edhe pse ja njihnin potencialin, e kishin të vështirë ta frenonin.

Skema e ekzekutimit të “liverpulçes” së 17 Nëntorit

Skema e ekzekutimit të
“liverpulçes” së 17 Nëntorit

Edhe Lin Shllaku, kapiteni i Partizanit, kishte një gjuajtje si rrufe, ku në disa raste çante “murin”, pa i dhënë mundësi portierëve të reagonin. Pastaj Gani Xhafa i Dinamos, me të djathtën, kishte një gjuajtje shumë të fortë. Veçohen edhe shkodranët Ramazan dhe Ferid Rragami, por gjithashtu Vasil Ruci i Flamurtarit, Seit Hyseni i Shkëndijës, legjenda e Apolonisë, Kujtim Majaci, që ishin të njohur në këtë drejtim. Një tjetër i brezit të mëvonshëm ishte Ledio Pano i Partizanit, goditja e të cilit karakterizohej nga një e djathtë e fortë kur faulli ekzekutohej në kufijtë e zonës së 16-metrave. Kishte një goditje që krijonte panik dhe pasiguri te portierët. Nuk harrohen shtyllat dhe traversat e trondituara prej tij kundër Gjermanisë, Austrisë dhe Uellsit.

Një ndërthurje të goditjeve standarde të forta ballore, me “gjethen e thatë”, kishte Dashnor Bajaziti, një goleador i shquar i Besës në vitet ’80. Në miqësoren e tetorit 1979, mes Kombëtareve Shpresa, Shqipëri-Francë, në “Qemal Stafa” (2-2), ai do të ekzekutojë me mjeshtëri një faull nga 18 metra, me topin që do të fluturojë mbi murin e francezëve dhe direkt në rrjetë. Po kështu edhe vlonjati Edomond Liçaj, lezhjani Gjergj Filipi, e pastaj Sulejman Mema, një emër i traditës, edhe ky për “Oskar” me goditjet “parabolë”, kur luante me Shkëndijën, por kryesisht me 17 Nëntorin e viteve ’80.

ÇFARË ISHTE “TRICK SHOT FREE KICK”…
Liverpuli u shpall kampion në Premier League në sezonin 1965-1966. Ishte sezoni i parë kur do të adaptohet fanella me ngjyrë të kuqe, me trajnerin legjendar Bill Shankly dhe goleadorin Roger Hunt, autorin e 29 golave, lojtari i parë liverpulas kampion bote me Anglinë 1966. Fituese e FA Cup, 2-1 kundër Lids, një periudhë kur skuadra shënonte mbi dy gola në ndeshje, një pjesë të tyre falë një shpikjeje. Ishte një interpretim perfekt i një goditje standarde para porte, që nga mjaft specialistë, opinionistë, në gjuhën gazetareske është njohur si: “trick shot free kick”. Gjithçka kur skuadra fitonte një goditje direkte ose indirekte në kufijtë e zonës së 16-metrave, falë një kombinimi, lëvizje “mashtruese”, fantazisë ndërmjet tre lojtarëve, duke nxjerrë një futbollist të zbuluar, i vetëm para portierit që shënon, me lojtarë që alternohen si Berns, Milne, Callagn, Hunt, Graham, etj.

DISKUTIMI NË SHTËPINË E AVOKATIT KOÇO DILO
Po në Shqipëri si u “eksportua” dhe u shfaq “trick shot free kick”, i shpikur në Liverpulin e largët? Për të ardhur te ajo skemë e re, e paparë që befasoi mjedisin futbollistik vendës të viteve 70-të, kur u pa si një mrekulli, me protagonistë 17 Nëntorin? Si u ideua, cilët ishin interpretuesit, kundërshtarët “viktimë” që u goditën nga varianti liverpulas “trick shot free kick”, ose me “liverpulçen tironse”? Ideja ka për start shtëpinë e një avokati të njohur në kryeqytet. Aty e ka zanafillën dhe ka marrë udhë “liverpulçja” shqiptare.

Pikërisht nga një dhomë në shtëpinë e avokatit Koço Dilo, një admirues futbolli, tifoz i 17 Nëntorit. Një simpati, pasion i arkivuar në kohë, për të cilën avokati pati edhe pasoja jo të vogla nga sistemi komunist, deri internime të familjes. Jemi në mesvitet 60-të në Shqipërinë e pak aparateve televizivë, teksa qarkullojnë vetëm ato të markave të huaja dhe për të parë një ndeshje futbolli ndërkombëtare finale, aty në ato mjedise të vogla janë mbledhur miq, shokë, familjarë, fqinj, etj. Falë kanalit italian televiziv, “Rai 1”, kanë ndjekur ato evente sportive. Familja Dilo ishte qendër ku qëndronin, mblidheshin një grup elite intelektualësh, avokatë, profesorë, njerëz të shquar, ndër të cilët Selman Stërmasi, avokatët Petrit Starova, Pelash Starova, pedagogu Gaqo Marko, Dila, vëllai i Koços, etj. Bashkë me ta edhe mjaft lojtarë të 17 Nëntorit, nga trajneri Myslym Alla, te emra si Fatmir Frashëri, Ali Mema, Skënder Hyka, Niko Xhaçka, Luigj Bytyçi etj.

Të gjithë para ekranit të një televizori të markës “Philips”, që avokat Dilos ia kishin sjellë nga Italia. Janë vitet e futbollit madrilen, me Realin legjendar, atij italian me Interin, Milanin kampion të Europës, Benfikën me Eusebion, por edhe atij britanik, me Anglinë kampione të botës më 1966-ën, Mançester Junajtidin me Xhorxh Best. Ajo që ka qenë e pëlqyer dhe shumë e ndjekur ishte pa dyshim Seria A në Itali. Pikërisht në një shtëpi pranë Selvisë, te ajo e avokatit Dilo, është ideuar “Liverpulçja” e 17 Nëntorit të famshëm të viteve 1965-1970.

TESTET U BËNË ME PIRAMIDA DËRRASE
“Profesor, pse të mos e aplikojmë edhe ne të 17 Nëntorit këtë skemë”? Një pyetje E bërë kalimthi, që Fatmir Frashëri ia shpreh trajnerit Myslim Alla, teksa ishin në shtëpinë e avokatit Koço Dilo, ku së bashku po ndiqnin takimin kur Liverpuli sapo kishte shënuar gol nga një skemë shumë e bukur, e rrallë në një goditje dënimi. Kaq ka mjaftuar për t’i dhënë nxitje fantazisë të strategut të 17 Nëntorit të famshëm. Nga teoria në praktikë dhe në mesditë, tek fusha e Qytetit të Nxënësve, e njohur ku stërvitej skuadra. Ka qenë sezoni 1967-1968, atje ku ka startuar dhe është bërë realitet Liverpulçja” e 17 Nëntorit, por pa e menduar që një goditje e tillë do të kthehej e frikshme dhe ndëshkuese për kundërshtarët. Në heshtje, pa zhurmë, gjatë seancave stërvitore, me mjete rrethanore, ideohej muri mbrojtës, pastaj interpretuesit. Një veprim i shpejtë tri pasimesh që e kapte në befasi, të papërgatitur kundërshtarin. Testet bëheshin në fushën e qytetit të nxënësve me piramida dërrase.

SKEMA E TIRANËS QË U DUARTROKIT NGA BELGËT
“Liverpulçja” e 17 Nëntorit provohet për herë të parë në ndeshjen e Kupës së Kampioneve kundër Standardit të Liezhit në “Qemal Stafa”. Ka qenë pjesa e parë, minuta 28-të dhe për 17 Nëntorin është dhënë një goditje dënimi direkte, për një faull të shkaktuar nga mbrojtësit belgë ndaj Skënder Hykës. Rezultati është 0-0, kur tiranasit e kanë humbur 0- 3 sfidën e parë. Belgët kanë vendosur murin e zakonshëm, të gjithë janë pozicionuar, në pritje të ekzekutimit të saj. Ka heshtje në stadium. Të distancuar nga topi, në prag vrulli janë Ali Mema dhe Fatmir Frashëri. Arbitri gjerman, Shulenburg, ka vërshëllyer. Mema ka vrapuar drejt topit, por nuk e ka goditur, duke devijuar vrapin nga e djathta në krahun e majtë të barrikadës.

Nga ndeshja 17 Nëntori-Standard i Liezhit, shtator 1969

Nga ndeshja 17 Nëntori-Standard i Liezhit, shtator 1969

Ndërkohë, pas tij është nisur Frashëri që ka goditur topin majtas për te Bytyçi, që ndodhet në grupin e lojtarëve në pjesën tjetër të zonës, i cili spostohet pak përpara dhe me shpejtësi e devijon atë me pasimin “mur”, pas barrikadës mbrojtëse, ku ndodhet Ali Mema. Ky i fundit, i harruar, jo në vëmendjen e belgëve dhe i vetëm me portierin, ka goditur me kokë, i sigurt që ka realizuar, por topi ka përfunduar në duart e portierit Piot. “Belgët shtangën nga kjo skemë dhe të hutuar nga shpejtësia e ekzekutimit, kur nuk e panë topin në rrjetë, vështruan njëri-tjetrin dhe… duartrokitën. E pabesueshme, kur një skuadër duartroket një veprim të një kundërshtari, në këtë rast modest si ekipi ynë. Në Shqipëri nuk kishte ndodhur më parë. Por edhe në nivelet e larta të futbollit perëndimor. Vetëm në ‘Qemal Stafa’ dhe me ‘liverpulçen’ tonë”, tregon për “Panorama Sport” Pavllo Bukoviku, kapiten në atë takim historik, që u mbyll 1-1 me golin e Kazanxhiut afër fundit.

17 NËNTORI-SHKËNDIJA, GOL NGA TRUKU I VJETËR
Kështu e përcaktonte shtypi shqiptar “liverpulçen” e aplikuar nga 17 Nëntori në atë takim, që u fitua 1-0, me golin e vetëm të realizuar nga ajo skemë dhe mekanizëm taktik. Java e 4-t e kampionatit kombëtar ka një surprizë të madhe, me Shkëndijën e Shkollës së Mjeshtërisë Sportive, që si kampione në Kategorinë e dytë, merr pjesë për herë të parë në elitën e futbollit shqiptar, madje që në fillim si protagoniste. Luhet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, Partizani-Shkëndija 1-2. Shënojnë Mustafa Fagu, Shpëtim Çoba dhe Agron Sulaj. Një befasi, një fitore e studentëve, me një futboll të bukur, spektakolar. Një skuadër shkolle që drejtohet nga një strateg, Zyber Konçi.

Në renditje kryesojnë 17 Nëntori, që fiton 2-1 me Dinamon me gola te Hykës dhe Çelës. Në javën e 5-të janë përballë. Një takim që pritet me interesim, shumë spektatorë në stadium, të gjithë pyesin: A do ta përsërisë Shkëndija suksesin me Partizanit edhe me kampionët në fuqi? Përgjigjen e gjejmë në gazetën “Sporti Popullor” të tetorit 1971: “Në pjesën e parë, minuta e 32-të, arbitri shkodran Tahir Kalaci ka akorduar për 17 Nëntorin një goditje dënimi mbi linjën e vijës përballë portës nga qyteti. Goli ishte frut i një goditjeje dënimi te vija e 16 metrave të Shkëndijës dhe doli në dritë pas zbatimit të një “truku” të njohur dhe të vjetër që 17 Nëntori vite të shkuara e ka përdorur jo pa sukses në të tilla pozicione. Topit të gjuajtur nga Mema, shtytjen e fundit për në rrjetë ja dha Gjoni. Ishte ky një lloj dënimi për repartin e mbrojtjes, që nuk arriti të parashikonte një veprim të tillë të kundërshtarit”, informonte “Sporti Popullor”.

Ish-mesfuhsori bardheblu/ Luigj Bytyçi: Kur na e zbuluan, ndryshonim lojtarët
Ajo skemë bazohej në një trekëndësh, me pasimin e parë të shkurtër për te lojtari majtas, që duhet të ishte teknik, i shpejtë në veprim, i cili në formë muri e devijonte për futbollistin, pikërisht atë që ndodhej pas murit mbrojtës. Një skemë taktike në ekzekutimin e goditjeve dënimit ballore, me mjaft efikasitet, ndëshkuese për çdo skuadër, e aplikuar nga Liverpuli dhe që në Shqipëri imituesi i saj ka qenë skuadra jonë”, – thotë për “Panorama Sport” Luigj Bytyçi, mesfushori i talentuar i atij formacioni spektakolar. “Në 4-5 sezone patëm sukses. U quajt‘liverpulçe’ nga skuadra e Liverpulit, një gjetje e rastësishme në zhargonin dhe gjuhën e përditshme tonën. Një fjalë e thjeshtë, praktike dhe që ngjiti menjëherë te ne futbollistët, pastaj tifozët”, kujton ndër të tjera futbollisti që shkurt thirrej “Bixhi”.

Luigj Bytyci

Luigj, dimë që ishte një zbulim që nisi nga një shtëpi private dhe përpara një televizor bardhezi. Si e mbani mend skemën e Liverpulit?
Po, nga shtëpia e avokatit të njohur Koço Dilo, aty e ka zanafillën. Ai ishte tifoz i deklaruar i 17 Nëntorit, madje edhe avokat i Skënder Halilit, në gjyqin famëkeq kur e dënuan. Aty ndiqnin takimet ndërkombëtare, kampionatet e huaja, atë italian dhe anglez. Jemi rreth viteve 1967-1968. Pikërisht gjatë një ndeshje në Premier Ligë që luante Liverpuli, futbollistët e tij shfrytëzuan një goditje standarde, duke aplikuar një skemë që rezultoi efikase. Ata e aplikonin sistematikisht dhe që ne e kishim parë edhe në disa ndeshje të tjera. Aty Fatmir Frashëri, i thotë Lym Allës: “Profesor, pse të mos e bëjmë edhe ne këtë variant?”. Lymi e dëgjoi, nuk foli, por pas pak ditësh në stërvitje na këshilloi të praktikonim. Në ndeshje e aplikonim pa na thënë askush si do të vepronim. Sigurisht që orientimi, aprovimi i Allës, ishte marrë në analizë.

Ju kujtohen fillimet, ku dhe si nisi praktikimi?
Fillimisht nisëm ta praktikojmë, pasi e biseduam na u dha një informacion. Zakonisht kur mbaronim stërvitjen, të tjerët largoheshin, portierët qëndronim dhe bashkë me trajnerin Myslym Alla, disa lojtarë, që eksperimentonim ekzekutimin e saj. Si mur mbrojtës, vendosnim piramidat prej dërrase. Ishte një skemë e panjohur, por që ne e perfeksionuam.

Kur dhe cilët ishin elementet kryesore të interpretimit të saj?
Në rastet kur jepej një goditje dënimi në vijën e 16 metrave, pozicion ballor. Unë qëndroja në krah të majtë të murit mbrojtës. Drejt topit vraponte Ali Mema, por pa e goditur spostohej djathtas murit. Pas tij vinte Frashëri, që e pasonte tek unë. Ndërsa unë me mur me shpejtësi, saktësi te Mema, që i vetëm para portës, godiste. Në mjaft raste kemi shënuar.

Gjithçka pa zhurmë, gati në fshehtësi…
Pas stërvitjes, kjo të hënën, më shumë, ose në ndeshje kontrolli, i thoshim trajnerit: “Profesor, a ta provojmë atë skemën si Liverpuli, se ajo që pamë mbrëmë kur ata shënuan golin?”. Alla e aprovonte, ndonëse nuk tregohej shumë entuziast. Një herë, dy, tre pa fund në stërvitje. Tifozë nuk kishte, ose shumë pak. As gazetarë, as televizone, pra e praktikonim si të thuash në fshehtësi, pa zhurmë, si një variant për ta përdorur kur do të ishte mundësia. Dhe e tillë ka rezultuar. Sidomos në fillim, në ndeshjet në rrethe veçanërisht janë ndëshkuar disa skuadra.

Cilët ishin mjeshtrit e perfeksionuar për “liverpulçen”?
Ishin disa, por Frashëri, Mema dhe unë mbetemi ata kryesorët. Pastaj, Kazanxhi, Hyka, Ishka, Gjoni, Çela, Bukoviku, futbollistë që pavarësisht nga rolet, alternoheshin sipas rasteve, situatave dhe rrethanave.

Na tregoni pak për ndeshjen kundër Standardit në shtator 1969?
Ka qenë një rastësi që i shpëtoi belgët nga një gol i sigurtë. Para ndeshjes me Standardin, profesor Alla në analizë tha: “Nëse do të jepet një goditje dënimi para portës, do të aplikojmë ‘liverpulçen’, duke përcaktuar lojtarët. Ashtu ndodhi, kur arbitri dha një të tillë. Askush nuk e parashikoi. Që në vendosjen e murit dhe të lojtarëve belgë, e kuptova që as ata nuk e dinin, as ta mendonin çfarë do të bënim ne. Po kështu edhe spektatorët. Ka qenë një interpretim i jashtëzakonshëm. Ali Mema, i vetëm përballë portës, nga afër goditi me kokë, por topi përfundoi në duart e portierit.

Një befasi për të gjithë, që shtang edhe belgët…
Fatkeqësisht nuk përfundoi në gol, por u shoqerua me një reagim: “Ooouuuu” nga i gjithë stadiumi. Ndërsa futbollistët belgë, të habitur dhe të befasuar, duartrokitën. Nuk e prisnin një manovër të tillë, një skemë që as e mendonin që edhe mund të ndëshkoheshin në Tiranë.

Me Shkëndijën, një mësim edhe për të shkolluarit apo jo?
Kur mundëm Shkëndijën 1-0 në “Qemal Stafa” në tetor të 1971-shit, me golin “liverpulçe” të shënuar nga mbrojtësi Fred Gjoni, pati jehonë, kur me humor në stadium pas ndeshjes doli shprehja e famshme: “Fitoi skuadra e të pashkolluarve, që i dhanë një leksion të mrekullueshëm mjeshtërve të shkollës së futbollit”.

Ka ndonjë moment që “liverpulçja” zbulohet dhe kundërshtarët tregohen të kujdesshëm?
Sigurisht, por sa herë që merrnin masat, edhe e pësonin. Ndodhte që gjatë ekzekutimit të një goditje dënimi, kur ato përgatiteshin, ne nuk e aplikonim. Kur kujtonin se ne e kishim braktisur, harruar, neglizhonin, nuk tregonin interes, atëherë ne i godisnim. Ose në rastet kur e njëjta skemë, ndërronim futbollistët, pozicionet, vendosjen e tyre te topi, kush do të jepte asistin, cili do të finalizonte etj. Më e sigurtë në realizim ishte kur goditja ishte pak e spostuar nga e djathta dhe jo në qendër. Luanim edhe për të marrë një faull në atë pjesë të fushës. 17 Nëntori kishte lojtarë driblues, individualitete të spikatura me aftësi teknike.

Keni aplikuar tjetër variant?
Zakonisht aplikonim dy skema. E para, me “liverpulçen”, me lëvizjen treshe, pasimin me mur ku merrnin pjesë tre lojtarë. Varianti tjetër, atë me topin e harkuar mbi murin mbrojtës, kur futbollisti ynë dilte i lirë, i vetëm përballë portierit. Praktikoheshin kur skuadrat ishin në gatishmëri për skemën tonë dhe gjendeshin të papërgatitura.

Sa ndikonte cilësia e topave në ato skema?
Sigurisht në një goditje të tillë, bashkë me terrenin, i rëndësishëm ishte edhe cilësia e topit. Materialin që përmbante, kërcente apo jo, që ndihmonte në shpejtësi dhe saktësi. Kujtoj se ne luanim me disa marka topash të çfarëdoshëm, jo të cilësisë së lartë, deri edhe kinezë, që ishin të rëndë. Kur bota përdorte prodhimet moderne të kohës, ndërsa këtu nuk lejoheshin markat “Adidas” etj., me motivet absurde, se janë prodhime të vendeve borgjeze. Në ndeshjet ndërkombëtare luanim me topat që kishin, pasi i sillnin skuadrat me vete.

Intervistoi: UVIL ZAJMI

Bujar Tafaj: Sa herë ishte faull, tifozët kërkonin “liverpulçen”
Nga ai brez pak kanë mbetur, pasi shumë prej tyre janë ndarë nga jeta. Nuk jetojnë më emra të njohur si Fatmir Frashëri, Ali Mema, Skënder Hyka, Gëzim Kasmi, Perikli Dhales, Bahri Ishka, trajnerët Myslym Alla, Enver Shehu, masazhatorë, drejtues, etj. Mirëpo, ata që e kanë përjetuar si portierët Llaq Konomi, Bujar Tafaj, sulmuesi Niko Xhaçka, mesfushorët Luigj Bytyçi, Ben Bukoviku dhe Arben Çela, e kanë të gjallë kujtesën kur flasin për atë ekip fenomenal, periudhë “të artë”, ndërsa i referohen kombinimit ideal, gati në perfeksion dhe madje kujtojnë “viktimat” e skemës së rrallë.

bujar tafaj

Duke befasuar një “Qemal Stafa” të tërë, goditjen që shtangu Standartin dhe ndëshkoi Shkëndijën debutuese, formacionin spektakolar të Zyber Konçit, të Gurmës, Sulos, Fagut, Zërit etj. E tillë edhe për mjaft telekronistë, komentatorë. “Në stërvitje, unë, Llaq Konomi, ishim portierët ku finalizohej. Në sezonin e parë mjaft skuadra nuk e njihnin, nuk orientoheshin. Kujtoj tifozët, që nga shkallët e stadiumi i bërtisnin lojtarëve: ‘Liverpulçen, liverpulçen’, kur arbitri jepte një goditje dënimi për ne afër zonës.

Deri edhe Zyber Konçi, një trajner të madh, kur erdhi te Tirana më 1974, ende nuk i ishte larguar ‘inati’ ndaj 17 Nëntorit, duke mos ia falur ndëshkimin me ‘liverpulçen’, që i shkaktuar atë humbje në një kohë që Shkëndija e tij sapo kishte shpërthyer me futbollin modern”, rrëfen sot për gazetën Bujar Tafaj, portieri i atij 17 Nëntori legjendar.

PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"