“Lojtarët të luajnë për fanellën, jo milionat”, Idrizi frenon Flamurtarin: Kujdes, euforia na godet!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2024 | 12:45

“Lojtarët të luajnë për fanellën, jo milionat”, Idrizi frenon Flamurtarin: Kujdes, euforia na godet!

Flamurtari po shkëlqen në këtë sezon të ri në Kategorinë e Parë, ku shpresohet të marrë fund distanca me elitën e futbollit shqiptar. Pas një starti jo të mirë, ku u mundën 2-1 në Vlorë nga Burreli, katër fitoret radhazi e kanë shtuar optimizmin për të ardhmen te kuqezinjtë.

-900-0-1721029838xandrea-agostinelli-dhe-sinan-idrizi-213

Gjithsesi, është administratori Sinan Idrizi ai që ul skuadrën me “këmbë në tokë”. Në një prononcim për “Panorama Sport”, administratori Idrizi shprehet se euforia dëmton, ndaj kërkon kujdes. Humbjen me Burrelin e cilëson thjeshtë aksidentale. “Ekipi duket se po bën më të mirën e mundshme në këto momente, por jemi ende shpejt. Mendoj se ndeshja e parë ishte aksidentale, pra ishte një aksident dhe u keqinterpretua nga stafi dhe nga lojtarët vetë. Më pas vjen pjesa tjetër, ku e rimorën veten dhe shpresoj që të vazhdojnë kështu. Duhet të bëjmë shumë kujdes! Euforia na godet ne!

Kur mundëm Dinamon 5-0 thamë jemi për Champions, pastaj u katandisëm për në “play off”. Pra, të jemi me këmbë në tokë. Kampionati është i gjatë dhe duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Po fillojë euforia nuk kemi gjë fare në vijë. Tifozët presin shumë nga ne. Flamurtari duhet të jetë në Superiore dhe ky është një objektiv që nuk duhet të vihet në asnjë moment në diskutim. U bë shumë në këtë kategori dhe nuk shkon fare si situatë”, u shpreh fillimisht administratori Idrizi.

MESAZHI PËR LOJTARËT

Administratori Sinan Idrizi thekson se futbollistëve ua ka bërë të qartë që të mos luajnë për milionat, por për fanellën. “Kur unë them që marr përsipër pjesën e financimit të klubit, kjo është një situatë që nuk na ka hije. Në takimin e parë që kam pasur iu kam thënë lojtarëve që nëse e shikoni kontratën e Flamurtarin të mbushni xhepat, më mirë i merrni këto lekë dhe largohuni. Këta djemtë tanë nuk janë të këtij lloji, ata janë profesionistë. Nuk bëhet fjalë për një kontratë të majme, por për një klub që ka histori. Ndaj futbollistët dhe stafi teknik i dinë shumë mirë pritshmëritë e mëdha si dhe peshën që ka kjo fanellë”, shprehet administratori.

VLERËSIMI I IDRIZIT

Sinan Idrizi ka edhe një vlerësim për futbollistët e Flamurtarit si dhe për trajnerin italian, Andrea Agostineli. “Duket se lojtarët që kanë ardhur te Flamurtari këtë sezon po përshtaten mirë. Janë blerje shumë të mira. Trajneri Andrea Agostineli ka një CV të jashtëzakonshme, pasi e ka treguar veten e tij në çdo ekip që ka punuar. Është trajner profesionist dhe që po bën mirë në Vlorë. Kam shumë besim te të gjithë për ta çuar Flamurtarin ku e ka vendin”, përfundon Sinan Idrizi.

6 duelet e mbetura të fazës së parë

JAVA 6

Flamurtari – Valbona

JAVA 7

Korabi – Flamurtari

JAVA 8

Flamurtari – Pogradeci

JAVA 9

Kastrioti – Flamurtari

JAVA 10

Flamurtari – Lushnja

JAVA 11

Besa – Flamurtari

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"