Lojtari i Tiranës dhe sulmuesi i Sasuolos vendosin takimin, Shqipëria U-19 fiton ndaj Malit të Zi
Shqipëria U-19 ka mposhtur moshatarët e Malit të Zi me rezultatin 2 me 0. Miqësoren e luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” e vendosën golat e Jordi Jakut dhe Briajan Gjylës. Jaku është pjesë e Tiranës, ndërsa Gjyla luan me moshat e Sasuolos në Itali.
Njoftimi i FSHF-së:
“Shqipëria U-19 triumfoi edhe në ndeshjen e dytë miqësore ndaj Malit të Zi me rezultatin 2-0. Në stadiumin “Reshit Rusi” kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje shumë të mirë dhe dominuan takimin. Golat e fitores i shënuan Jordi Jaku dhe Briajan Gjyla.
Trajneri Ahmataj e nisi ndeshjen me këtë formacion: Amarildo Dervishaj (GK), Kleo Shpuza, Fabjan Përndreca, Denis Prendi, Antonis Dama, Matia Huqi, Dean Vranici, Jordi Jaku, Ron Hasani, Briajan Gjyla, Flavio Sulejmani (C).
Kombëtarja shqiptare U-19 e nisi shumë mirë ndeshjen duke kontrolluar topin dhe duke tentuar portën kundërshtare. Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 42-të. Shqipëria mori avantazhin me Jordi Jakun. Pjesa e parë u mbyll 1-0.
Fraksioni i dytë nisi me një ndryshim për kuqezinjtë. Nga loja doli Ron Hasani dhe u aktivizua Xheto Nuredini. Shqipëria dyfishoi rezultatin në minutën e 57-të me Briajan Gjylën. Sulmuesi kuqezi shënoi një gol të bukur dhe vulosi fitoren ndaj Malit të Zi.
Deri në fundin e takimit kuqezinjtë patën sërish disa raste të mira shënimi, por pa konkretizimin e duhur. Në fund ndeshja u mbyll me triumfin e Shqipërisë 2-0. Fitorja e dytë radhazi për Kombëtaren shqiptare U-19 në testet miqësore të tetorit. Tani i gjithë fokusi i trajnerit Ahmataj dhe stafit teknik do të jetë te ndeshjet e raundit të parë të kualifikueseve të Europianit 2025 për moshën U-19, që luhen në nëntor.
Shqipëria është pjesë e grupit 11 së bashku me Izraelin, Danimarkën e Irlandën e Veriut dhe ka si objektiv kalimin në fazën “Elite Round”. Të gjitha ndeshjet e grupit 11 do të luhen në Shqipëri nën organizimin e Federatës së Futbollit”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
![](https://www.panorama.com.al/sport/wp-content/static/klikoperkepanoramaonline.jpg)