Luajnë në Bilisht ndaj Erzenit, mbrojtësi i Maliqit nuk shqetësohet nga skema: Nuk është problem, synojmë tre pikët
Maliqi do të përballet ditën e diel me Erzenin, në sfidën e vlefshme për javën e 5-të të Kategorisë së Parë. Për shkak të shtrimit të tapetit të ri në stadiumin “Skënderbeu”, maliqarët do të luajnë në Bilisht këtë 90-minutësh. Edhe pse përballë do të kenë një skuadër pretendente, Ledion Rezhda beson te pikët.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi u shpreh: “Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Kemi qenë pak të zhgënjyer me rezultatet e fundit, ku na mungojnë disa pikë, por ndërkohë jemi të karikuar për t’u rikthyer te fitorja.
Ne respektojmë çdo kundërshtar dhe pavarësisht se përballë do të kemi një ekip shumë cilësor, synimi ynë është që të futemi në çdo ndeshje për 3 pikë dhe sidomos në takimet si pritës, nuk duhet të humbim terren pastaj në fund do shikojmë çdo na sjellë loja.
Skema me 3 në mbrojtje për mua nuk është problem. Edhe më përpara kam luajtur kështu. Zgjedhjet i bën trajneri, ne thjesht i zbatojmë dhe mundohemi të përmirësohemi sa më shumë. Mjafton që të japim maksimumin në çdo ndeshje dhe marrim pikë”.
ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"