Luan çdo ndeshje titullar, nuk ka pushim për sulmuesin e Juventusit
Mbrojtja dhe sulmi janë dy repartet më të brishta te Juventusi për momentin. Jo për shkak të gabimeve në ndeshje, por për shkak të numrave. Në të dyja repartet për shkak të dëmtimeve, Tiago Mota nuk ka alternativa.
Në sulm, Dushan Vlahoviç është lojtari i vetëm që trajneri bardhezi ka në dispozicion për qendrën. Sulmuesi serb duhet të alternohej bashkë me Arkadiuzh Milik, por ky i fundit po qëndron jashtë fushave për shkak të një dëmtimi dhe nuk duhet se kurrë do të kthehet.
Kështu, Dushan Vlahoviç nuk ka kohë të pushojë. Këtë gjë e tregojnë edhe vetë shifrat. Tiago Mota e ka zgjedhur në formacion Dushan Vlahoviçin në të gjitha ndeshjet që ka qenë në drejtimin e “Zonjës”. 16 ndeshje për serbin nga të cilat 12 i ka luajtur në Serinë A dhe 4 në Ligën e Kampioneve. Pra nuk ka kohë për pushim. 1295 minuta është aktivizuar deri më tani numri 9 i Juventusit, ndërsa pritet të jetë titullar edhe me Serbinë.
Nëse ndalesa e fundit e Kombëtareve, shërbeu si një pushim edhe për Vlahoviçin që nuk u grumbullua nga Serbia, këtë herë Dragan Stojkoviç e ka në planet e veta për ndeshjet ndaj Zvicrës më 15 nëntor dhe Danimarkës më 18. Kjo mund të shihet edhe si diçka e mirë, pasi kombëtarja ka vlejtur si një rigjenerim i energjive për Vlahoviçin që është paraqitur mirë pas pushimit të kombëtareve. Megjithatë, Mota do të donte që serbi të pushonte.
Menjëherë pas kthimit nga Serbia, Vlahoviçin e pret një përballje shumë e rëndësishme, siç është supersfida ndaj Milanit me 23 nëntor. Më pas “turi i forcës” e çon “Zonjën” në një përballje ndaj Aston Vilës në Ligën e Kampioneve më 27 nëntor, ndërsa më 1 dhjetor do të luajë kundër Leçes. Tre ndeshje të shpejta për Motën që në rast se nuk gjen dot një alternativë (që mund të jetë Niko Gonzalez) do të duhet të “shtrydhë” sulmuesin serb njësoj siç ka bërë deri më tani.
Te Juvja ka vetëm një lojtar që ka luajtur më shumë minuta se Dushan Vlahoviç deri më tani dhe ai është Andrea Kambiaso. Ky i fundit ka luajtur 1297 minuta, pikërisht 2 minuta më shumë se sulmuesi serb, por mes tyre ka një ndryshim. Italiani ka startuar dy sfida nga stoli, ato përballë Xhenoas dhe Shtutgartit, ndërsa serbi asnjë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"