Luftëtari i bindur për vazhdimësinë e ecurisë, Kananaj u bashkohet gjirokastritëve si përforcim
Nën drejtimin e trajnerëve Shabani e Kuqi, Luftëtari ka nisur përgatitjet për fazën e dytë të Kategorisë së Dytë, që starton më 26 janar. Në javën e parë, Luftëtari do të luajë një ndeshje shumë vendimtare ndaj Tomorit në Berat.
Në fazën e parë, gjirokastritët fituan me rezultatin 1-0. Edhe tani, për vetë situatën në të cilën ndodhen i duhet më shumë se kurrë fitorja, për të mos e lëshuar vendin e parë në renditje. Luftëtari kryeson me dy pikë më shumë ndaj Orikumit të vendit të dytë. Aq sa i duhet gjirokastritëve fitorja ndaj Tomorit, po kaq të nevojshme e kanë edhe beratasit, ndryshe u pakësohen shumë mundësitë për t’u ngjitur në të Parën. Luftëtari është më i vendosur për realizimin e këtij objektivi dhe jo pa qëllim pushoi shumë pak për të mos e ulur ritmin e lojës. Ndërkohë përforcimet kanë nisur. Nigeriani 21-vjeçar, Stefan Agu, është afruar në ekip pasi përfundoi fazën e parë me Butrintin.
Me ekipin po stërvitet edhe futbollisti 23-vjeçar Altin Kananaj, i ardhur nga Apolonia, dhe pritet zyrtarizimi në skuadër. Pas largimit të Nazmi Gaba, Kananaj është shumë i nevojshëm për ekipin. Ky i fundit është formuar si futbollist me ekipet e moshave të Apolonisë duke u shpallur kampion me Apolonia U-19. Luan si mesfushor, por edhe në rolin e një sulmuesi të krahut të djathtë. Është aktivizuar me ekipet e Tomorit, Lushnjës dhe Apolonisë. Me rikthimin e Vucaj pas një dëmtimi, ekipi forcohet në mesfushë, por priten ndryshime të tjera në merkato. Kryesorja është se do të mbahet po ai grup lojtarësh që e mbyllën me sukses fazën e parë.
GËZIM BEQIRI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"