Lushnja barazon me Bylisin në miqësore, trajneri Magani ankohet për nivelin e fushës
Të shtunën në mesditë, në stadiumin “Roza Haxhiu” është zhvilluar një takim miqësor midis Lushnjës dhe Bylisit. Ky takim testues në prag të rifillimit të aktiviteteve, përfundoi në barazim 1-1. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, po, duhet theksuar se lushnjarët bënë një prezantim më të mirë, ndonëse fillimisht luajtën lojtarët që kanë pasur më pak hapësira aktivizimi në pjesën e parë të sezonit.
Edhe ballshiotët vepruan me të njëjtën mënyrë, ku u dhënë minuta në fillim zgjedhjeve të dyta. Në minutën e 22-të Lushnja pati një mundësi të mirë për të kaluar në avantazh. Skuadra e drejtuar nga trajneri Gugash Magani fitoi një penallti. Disha rrëzohet në zonë dhe gjyqtari Alla tregon pikën e bardhë. Godet Xhemalaj, por topi përplaset në shtyllë. Lushnjarët mund të kishin shënuar edhe në minutën e 25-të, kur Tabaku godet bukur me kokë, por pret portieri Hasanbelli.
Fraksioni i parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Në pjesën e dytë skuadrat ndryshojnë tërësisht si pasojë e zëvendësimeve. Megjithatë, lushnjarët vijojnë të luajnë mirë dhe marrin avantazhin në minutën e 61-të. Magani kroson nga e djathta, topi goditet me kokë nga sulmuesi Xhabrahimi dhe pushon në rrjetë. 1-0 për vendasit. Më pas do të vijë reagimi i ballshiotëve, që barazojnë në minutën e 77-të, pas një gjuajtje të saktë brenda zonës së Peraltës, 1-1. Me këtë rezultat u mbyll testi dhe të dyja skuadrat duken gati për ndeshjet e Kupës në mesjavë, ku Lushnja do të presë Orikun, ndërsa Bylisi-Adriatiku luhet në “Adush Muçaj”.
Gugash Magani- Trajneri i Lushnjës tha se miqësorja me Bylisin u vlejti shumë. Lushnjarët bënë një ndeshje të mirë dhe duken gati për sfidat e vazhdimësisë. “Ishte një ndeshje që na vlejti shumë. Vinin nga një javë e plotë stërvitore. Bëmë një planifikim, që të merrnin minuta të gjithë lojtarët. Ajo që për mua nuk kishte rëndësi ishte rezultati i ndeshjes, pavarësisht se dolëm barazim. Vlen për t’u theksuar dhe e kam shumë shqetësim, pasi kemi një grup lojtarësh që punojnë mirë me topin, por fusha e stadiumit është në nivel mesatar. Normalisht, në ndeshjet brenda jemi shumë të penalizuar, megjithatë lojtarët ishin seriozë. Jemi të qetë sepse nuk kemi dëmtime, përveç Cankës dhe brazilianit Mota, që duan pak kohë për t’u rikuperuar. Ndërsa Olola kishte një shqetësim të vogël dhe nuk e rrezikuam”, u shpreh Gugash Magani për “Panorama Sport”.
LUSHNJA – BYLISI 1-1
GOLAT: Xhabrahimi 61’ / Peralta 77’
LUSHNJA: Alimuçaj, Xherrison, Korreshi, Dusha, Muça, Januzi, Hysa, Xhemalaj, Kamissoko, Kaçanolli, Tabaku; (U aktivizuan: Hoxha, E.Magani, Hida, Meta, Joti, Uillfried, Xhabrahimi, Maikon). Trajner: Gugash Magani
BYLISI: Hasanbelli, Abazaj, Bruno, Peralta, Mahmuti, Kasaj, Përgjoni, Ruçi, Ofori, Igor, Treni; (U aktivizuan: Papa, Malomo, Marku, Uendel, Maçolli, Sulovari, Çela, Gjata, Janov). Trajner: Nevil Dede
GJYQTARË: L.Alla, M.Qose, S.Met’hoxha(Lushnjë)
ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"