LUSHNJA/ Canka kërkon falje për penalltinë: Nuk duhet të dorëzohemi. Kryebashkiakja Sefa: Shumë shpejt nis ankandi
Golashënuesi më i mirë i lushnjarëve Mikel Canka, autor i tre golave për këtë sezon në ndeshjen me Pogradecin u aktivizua nga stoli. Sulmuesit 37-vjeçar iu dha një mundësi për të barazuar ndeshjen, por “veterani” i verdhejeshilëve gaboi nga pika e bardhë.
“Është e vërtetë. Patëm një mundësi mjaft të mirë për të barazuar rezultatin. Unë marr përsipër gabimin e asaj ndeshje. U kërkoj falje shokëve, tifozëve dhe stafit. Ju them që nuk duhet të dorëzohemi. Futbolli ndaj është i bukur. Shumë herë të dhuron gjëra të bukura, por ka dhe momente të vështira. Kështu që duhet të gjejmë forcë që të ringrihemi. Unë si Canka, ju them që shumë shpejt do t’ua kthej pikët e humbura në Pogradec. Do të bëj maksimumin tim. Nga kjo ndeshje që vjen, jam i gatshëm 100%. Kam kaluar mjaft dëmtime dhe ndihem mirë tani”, deklaroi për gazetën Mikel Canka.
Kryetarja e Bashkisë Lushnjë
Sefa: Shumë shpejt nis ankandi, shpresojmë të ketë të interesuar
Dje në orën 14:30 u zhvillua mbledhja e muajit nëntor e Këshillit Bashkiak të Lushnjës, ku u diskutua edhe për futbollin. Ka qenë këshilltari Klement Çela, i cili kërkoi informacion për privatizimin e klubit. Kryebashkiakja Eriselda Sefa, tha se po ngrihet komisioni dhe do të fillojë menjëherë shpallja e ankandit. “U prit shkresa nga FSHF-ja. Në mbledhjen e kaluar ju thashë se është dërguar shkresa në FSHF.
Pasi kemi dërguar shkresën, disa ditë më parë ka ardhur përgjigja e FSHF-së, ku ka përcaktuar kriteret që duhet të ketë si dhe rregulloren që kanë ata për procedurën, që ne do të hedhim në ankand. Po ngrihet komisioni dhe do të fillojë menjëherë shpallja e ankandit. Por deri tani, persona të interesuar, që të kenë ardhur në mënyrë informale nuk ka pasur. Të shpresojmë që kur ta publikojmë, të vijnë në mënyrë zyrtare”, deklaroi para këshilltarëve Sefa.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"