“Lushnja e fortë këtë sezon, nuk do të kënaqem me vendin e katërt”/ Canka: Së shpejti vijnë golat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2024 | 14:10

“Lushnja e fortë këtë sezon, nuk do të kënaqem me vendin e katërt”/ Canka: Së shpejti vijnë golat

Lushnjarët kanë pasur një ecuri pozitive në këto pesë javë të para të kampionatit, ndonëse për ta kalendari ka qenë i fortë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, kapiteni Mikel Canka thotë se sërish do të jetë një Lushnjë mjaft e fortë, që do të konkurrojë në katër vendet e para të klasifikimit.

canka

Ndeshja me Besën ishte e para për Cankën si titullar, si u ndiet?

Ishte ndeshja e parë si titullar. Kam qenë i dëmtuar prej fillimit të kampionatit. Kisha marrë pak minuta në ndeshjet e para dhe nuk isha në gjendjen time optimale me Besën. Gjatë gjithë javës bashkë me stafin po diskutonim gjendjen time fizike. Arrita që të isha në 100%-shin tim. Kam lënë pas dhe një problem muskulor. Shpresoj të mos kem më dëmtime që të më mbajnë kaq gjatë larg fushave.

Canka, Xhabrahimi, Olola, tre sulmues, cili ishte pozicioni juaj?

Të tre sulmuesit që kemi qenë në fushë, unë jam përdorur si numër 10. Kam ndihmuar ekipin në pjesën mbrojtëse dhe në atë sulmuese, sepse kam vite që e bëj këtë rol. Kur jam në gjendje të mirë fizike jap më të mirën dhe shënoj. Pavarësisht se kundër Besës kam pasur pak shanse, besoj se në ndeshjet në vazhdim do të jem pozitiv edhe në shënimin e golit. Olola dhe Xhabrahimi kanë bërë një punë mjaft të mirë për ekipin e Lushnjës në këto ndeshje. Shpresoj, që të jenë kështu deri në fund të kampionatit. Olola është rritur shumë si lojtar. Xhabrahimi është një futbollist me eksperiencë, i cili e njeh shumë mirë këtë kategori. Po ashtu, ka marrëdhënie të mira me shënimin e golit.

Mungoi goli. Edhe juve humbët një rast…

Me pak fat do të kisha shënuar se për atë hyj në fushë. Shpresoj të shënoj në ndeshjet në vazhdim.

Lushnja ka një prezantim të mirë në këto 5 javë të para, si e vlerësoni?

E kam thënë që në fillim të kampionatit, do të jetë një Lushnjë mjaft e fortë, për të konkurruar në katër vendet e para. Këtë vit kemi një ekip me lojtarë me eksperiencë. Lojtarë të fortë fizikisht, mjaft të mirë teknikisht. Jemi ndërthurur mjaft mirë deri në këto 5 javë. Këtë e tregojnë edhe rezultatet e arritura deri më tani.

Çfarë është përmirësuar në raport me vitin e kaluar?

Në të gjitha repartet thuajse është ndërhyrë. Kështu që duhet edhe pak punë dhe vlerësim, për të arritur aty ku duhet.

Tre gola të shënuar në pesë javë duken pak. Çfarë mund të përmirësohet?

Kemi pasur dhe kalendar të vështirë, me ndeshje të forta. Kemi përdorur tjetër modul në ndeshjet në shtëpi. Kemi qenë ofensiv. Kemi zhvilluar dy ndeshje brenda dhe tri jashtë. Kështu që shumë shpejt do të vijnë edhe golat.

Jeni i kënaqur me vendin e katërt?

Nuk jam i kënaqur, sepse kemi pasur mundësi për të qenë me më shumë pikë në tabelë. Por, në futboll ndodhin këto. Vlerësojmë ndeshjet një nga një.

Mbështetje e zjarrtë për Lushnjën në tribuna, ovacione, dekori verdhejeshil…

Mbështetja e tifozërisë lushnjare është një mesazh pozitiv për ekipin. Kështu, që po patëm rezultate të mira, ata do të jetë më të shumtë. Kjo varet nga paraqitja që ne do të bëjmë. Nëse vazhdojmë kështu ata do të jenë prezentë. Jo vetëm në Lushnjë, por edhe jashtë saj. Do të jetë të shumtë dhe në mbështetjen tonë. E kanë treguar kaq vite se çfarë dinë të bëjnë. Si e mbështesin ekipin e zemrës. Ata janë forca jonë.

Në sfond është Burreli, si po përgatiteni?

Është një transfertë shumë e vështirë. Ne shkojmë me moral të lartë. Shkojmë për të bërë një lojë të mirë dhe të bukur. Në Burrel, gjithmonë kemi luajtur mirë. Janë një ekip i fortë. Duhen vlerësuar se janë me meritë aty ku jemi edhe ne.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"