Lushnja fiton me penallti, Erzeni “thatë” edhe në shi. Luga: Matematikisht jemi në lojë. Xhafa: Trepikëshi i vështirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2025 | 16:22

Lushnja fiton me penallti, Erzeni “thatë” edhe në shi. Luga: Matematikisht jemi në lojë. Xhafa: Trepikëshi i vështirë

Takimi i zhvilluar në stadiumin e Vorës mes Erzenit dhe Lushnjës u mbyll me rezultatin 0-1 për lushnjarët. Takimi u shty me 24 orë për shkak të reshjeve. Axhenda u zhvendos nga e shtuna në Shijak, në të dielën në stadiumin e Vorës, por shiu nuk u ndal.

ERZENI LUSHNJA 0-1

Lushnja fitoi falë penalltisë së shënuar nga Kamsioko në fund të pjesës së parë dhe ngjiten në vendin e gjashtë. Ndërsa Erzeni vijon pa asnjë fitore në 18 javë dhe mbijetesa në Kategorinë e Parë sa vjen e minimizohet.

Ndeshja- Sfida nisi e luftuar nga të dy ekipet dhe sinjalin e parë e japin lushnjarët, që i afrohen portës me kapitenin Canko, i cili godet, por portieri Arevalo e devijon. Erzenit reagon menjëherë në të 12-ën me Xhekën, i cili me një diagonale goditi topin, që shkoi pranë shtyllës pingule të portës së mbrojtur nga Alimuçaj. Pas kësaj minute, deri në të 43-ën, loja më shumë u zhvillua në mesfushë, me raste të pakta për shënim. Kur mendohej se pjesa e parë do mbyllej me rezultatin e bardhë, në një sulm të shpejtë të miqve, Kamisoko hyn brenda zonës dhe mbrojtësi i qendrës Sallaku e ka frenuar duke bërë edhe spërkatën për ta devijuar topin.

Kryesori Xhuljan Bacaj drejton gishtin drejtë pikës së bardhë. Futbollistët e Erzenit bashkë me stafin drejtues protestojnë ndaj gjyqtarit, por vendimi i tij nuk ndryshon. Kamisoko kërkon që ta çojë deri në fund këtë rast dhe merr përsipër ta gujë topin nga pika e bardhë, që e finalizon me sukses dhe 1-0 për Lushnjën. Fraksion i dytë ishte më i bukur se i pari, ndonëse nuk u shënuan më gola. Skuadra shijakase hedh vështrimin drejt portës lushnjare me Hodo, Isterin dhe Bespallov, por miqtë menduan më shumë të mbrojnë rezultatin se sa të sulmonin me Cankën e Kamisoko. Zëvendësimet e kryera nga dy trajnerët nuk e ndryshuan rezultatin dhe  i gjithë takimi u mbyll me fitoren minimale të Lushnjës. Një grup tifozësh kishin udhëtuar nga Lushnja për të mbështetur ekipin në Vorë.

ERZENI 0- 1 LUSHNJA 0-1

GOLi: Kamisoko 44′(11-m)

 

ERZENI: Arevalo, Kortes, Baruti, Sallaku, Isteri, Kola, Brahja, Lajthia, Hodo, Xheka (Zaimaj 62′), Bespallov; (Në dispozicion: Dema, Çela, Cergani, Halilaj, Tahiri). Trajner: Ergys Luga

 

LUSHNJA: Alimuçaj, Magani, Hida, Korreshi, Deliaj, Joti (Hyseni 69′), Uilfried, Kamisoko, Olola (Xherison 68′), Canka (Tabaku 78′), Kaçanolli (Xhabrahimi 78′);(Në dispozicion: Haremi, Xhemalaj, Januzi, Hysa). Trajneri: Erjon Xhafa

Kartonë të verdhë: Hodo 49’/Hida 69′, Kamisoko 89’, Korreshi 90’

Gjyqtarë: Xh. Bacaj(Laç), G.Mënaj (Tiranë), K.Zefej(Lezhë)

Vëzhgues: Alfred Lamçe (Tiranë)

Delegat: Alban Tafaj (Tiranë)

 

Luga: Matematikisht jemi në lojë

Ergys Luga, trajneri Erzenit, pas ndeshjes u shpreh:Kishim përballë një kundërshtar të mirëorganizuar, por nuk e meritonim humbjen. Lojtarët dhanë maksimumin, edhe pse shumica janë lojtarë të rinj të ardhur nga akademia e klubit. Unë nuk kam humbur lojtarë, por kam fituar. Gjersa matematika na lejon, nuk dorëzohem dhe për këtë arsye do të punoj shumë me ekipin. Penalltia e akorduar nga gjyqtari ishte e dyshimtë. Ne protestuam, duhej dhënë për ne, por nuk veproi drejt”.

 

Trajneri

Xhafa: Trepikëshi i vështirë, por na bën mirë

Lushnja e nisi mbarë 2025-ën, duke marrë një fitore në transfertë, që i ngjit provizorisht në zonën “play off”. Pas trepikëshit me shijakasit, skuadra lushnjare shkon në kuotën e 24 pikëve duke u renditur në vendin e gjashtë. Trajneri Erion Xhafa, pas suksesit të djeshëm dhe nisjes me fitore të vitit 2025, për “Panorama Sport” u shpreh: “Një trepikësh që na bënë mirë në kampionat. E kishim menduar që do të ishte ndeshje e vështirë. Gjetëm një ekip shumë të motivuar dhe agresiv me çuna të rinj. Na e vështirësuan shumë manovrën sulmuese. Patëm probleme nga krahët. Trepikëshin e zgjidhëm nga pika e bardhë që na bën mirë për renditjen, por edhe për skuadrën”.

ALBERT ALIKO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"