Lushnja frenon Besën, kreybashkiakja e kënaqur me verdhejeshilët. Spaho: Dominuam, penalltia ishte. Josa: Loja “OK”, rezultati jo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2024 | 14:15

Lushnja frenon Besën, kreybashkiakja e kënaqur me verdhejeshilët. Spaho: Dominuam, penalltia ishte. Josa: Loja “OK”, rezultati jo

Barazim i bardhë në “Roza Haxhiu” midis Lushnjës dhe Besës. Kavajasit lënë pikët e para në kampionat, por Mehidri vijon të mos pësojë në 450 minuta lojë. Lushnja në këtë takim u drejtua nga trajneri i portierëve Mikel Spaho, pasi trajneri Gugash Magani dhe ndihmësi i tij Dervishi ishin të pezulluar.

LUESHNJA BESA

Gjithsesi, lushnjarët vijojnë të grumbullojë pikë të rëndësishme, ku në 5 javë kanë 2 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje.

Ndeshja – Pasditja e së shtunës në “Roza Haxhiu” ishte një kujtesë e kohëve të vjetra. Mbi 2 mijë shikues ishin prezentë në stadium, ku dalja e skuadrës vendase në procesin e nxehjes u prit me ovacione të shumta. Tribuna qendrore tërësisht e mbushur. Publik i konsiderueshëm në shkallët përkarshi, ndërsa në pjesën jugore një grupim “ultras” dhe një flamur i stërmadh verdhejeshil. Takimi nisi i qetë dhe loja qe e ekuilibruar për minuta me radhë. Të zotët e shtëpisë rrezikojnë më shumë nga krahu i djathtë. Krijohen mundësi dhe rritet rrezikshmëria, por momenti i golit mungon. Në minutën e 31-të Lushnja fiton penallti.

Goxha rrëzon Xhabrahimin në zonë dhe kryesori Jorgji tregon pikën e bardhë. Në “Roza Haxhiu” shpërthen entuziazmi, por pas pak çastesh kryesori Jorgji i drejtohet monitorit pas është thirrur për verifikim nga dhoma e VAR-it. Penalltia anulohet dhe gjyqtari vendos goditje dënimi për Besën, pasi shikon që aksioni ka nisur nga një faull i Uillfred, ndaj Spahiut. Shuhet mundësia më e mirë për të zhbllokuar sfidën. Në minutën e 36-të Besa është pranë golit. Mazrekaj kroson bukur nga e djathta, Kanu shumë pranë portës godet me kokë, por pret Alimuçaj. Kështu skuadrat shkojnë në pushim. Pjesa e dytë nis pa ndryshime nga të dy ekipet. Në minutën e 54-ët, Lushnja është shumë pranë golit. Më pas është Canka që devijon me këmbë, por jashtë. Pas një ore lojë nisin zëvendësimet, por rastet për gol mungojnë. Në minutën e 83-të Xhabrahimi ekzekuton bukur një goditje dënimi, por topi shkon mbi traun e portës. Mbyllet pa gola i gjithë takimi.

SEFA BIZHDILI QOSJA

Kryebashkiakja- Në pjesën VIP të tribunës qendrore në stadiumin e Lushnjës ndodhej edhe presidentja e ekipit, kryebashkiakja Eriselda Sefa. Në një postim në profilin e saj në “Facebook”, kreu i qytetit të Lushnjës u shpreh me nota pozitive për ndeshjen me Besën. “Paraqitje pozitive e skuadrës përballë një ekipi të fortë. Rëndësi ka që ekipi po konsolidohet javë pas jave. Të vijojmë kështu për të justifikuar edhe mbështetjen e madhe të publikut lushnjar”, shkruan Sefa.

LUSHNJA-BESA 0-0 

Lushnja: Alimuçaj, E.Magani, Hida, Korreshi, Meta, Joti(Xherrison 75′), Deliaj, Uilfred (Mota 63′), Canka, Xhabrahimi (Xhemalaj 84′), Olola (Tabaku 84′);(Në dispozicion: Haremi, Disha, Januzi, Muça, Hysa, Kaçanolli). Trajner: Mikel Spaho

Besa: Mehidri, Frashëri, Abdullai, Goxha, Nurja, Oliveira (Kurt Mert 77′), Mëllugja, Stafa (Nkube 65′), Mazrekaj, Kanu (Ibrahimi 59′), Spahiu (Aleksandre 59′); (Në dispozicion: Ahmetaj, Perja, Rapo, Gjinaj, Ramilli). Trajner: Mirel Josa

Kartonë të verdhë: Meta 83’/ Olivera 19′, Spahiu 50′, Frashëri 63′, Ahmetaj 90’ (në pankinë);

Gjyqtarë: E. Jorgji (Elbasan), D. Rexha(Tiranë), R. Çokaj(Lezhë) / VAR: S.Dyrmishi(Elbasan), F.Lata(Durrës)

DELEGAT: Eraldi Shera(Shijak)

VËZHGUES: Servet Bogdani(Durrës)

MAGANI PAS TELAVE

Mikel Spaho

“Lushnja dominoi, penalltia ishte”

Mikel Spaho, trajneri i Lushnjës në sfidën ndaj Besës pas takimit u shpreh: “Ndryshimi i skuadrës nga vjet është rrënjësor, afro 80%. Jemi munduar të afrojmë lojtarë cilësorë dhe ecuria është pozitive. Luanim ndaj një kundërshtari që kryesonte me meritë dhe me pikë të plota. Lushnja dominoi në çdo aspekt. Mungoi vetëm goli, por patëm raste me Cankën. Dukej që ishte ndeshje tip dhe do të ndahej me episode. Nuk u rrezikuam dhe porta jonë nuk u godit asnjëherë. Ekipi është në rrugën e duhur. Për mua ishte një emocion i veçantë, nëse do të fitonim do të ishte diçka e bukur. Penalltia ishte e saktë, por u kthyem në një moment pas. Vendim i gjyqtarëve, që unë nuk mund ta komentoj”.

Trajneri i Besës

Josa i kënaqur nga ndeshja, por jo nga rezultati pa gola

Marshimi i Besës është frenuar disi në javën e pestë, pasi kavajasit barazuan në shifrat 0-0 në “Roza Haxhiu” të Lushnjës. Pika e fituar vlejti që Besa të kryesojë e vetme, me një pikë më shumë, ndaj Flamurtarit dhe Vorës. Gjithsesi, porta e Besës mbetet e paprekur edhe pas javës së pestë. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport” trajneri Mirel Josa pohoi se priste që ekipi i tij ta zgjidhte më mirë ndeshjen, ndonëse reaguan disi në pjesën e dytë. Josa ka mbetur i kënaqur nga ndeshja, por jo rezultatin. “Duhet ta zgjidhnim më mirë ndeshjen me Lushnjën. Në pjesën e dytë reaguam më qartë, por na mungoi shpejtësia në pikat e referimit përpara. Jam i kënaqur me ndeshjen që bëmë, por jo me rezultatin. Është vetëm ndeshja e pestë, por duhet të jemi më të përqendruar. Lushnja arriti të na bllokonte disi kur ne donim të dilnim shpejt në kundërsulm”, u shpreh trajneri Mirel Josa pas barazimit pa gola në Lushnjë.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"