Lushnja me “marsh të lartë”, Spaho mobilizon ekipin para matjanëve
Katër ditë pas transfertës me Besën, lushnjarët do të presin sot, ora 13:30, në shtëpi Burrelin. Përballja me matjanët do të jetë e fundit për vitin 2024. Verdhejeshilët shpresojnë te fitorja, si e vetmja alternativë që mund t’i kthejë në zonën “play off”.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Erion Xhafa ka mbyllur përgatitjet dhe duket gati për sfidën e sotme. Te lushnjarët do të mungojnë qendërmbrojtësi Kledis Hida dhe polivalenti Fjoralb Deliaj, që kanë plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë. Lajm pozitiv për lushnjarët është rikthimi i mbrojtësit të krahut të majtë Fadil Meta. 29-veçari ka përfunduar dënimin e dhënë nga KDE-ja.
Një dënim, që i është ulur një javë, kështu që peqinasi i Lushnjës është gati për sfidën me matjanët. Në një prononcim për “Panorama Sport” ish-kapiteni i Lushnjës Mikel Spaho, tashmë pjesë e stafit të Erion Xhafës, si trajner i portierëve, thotë se verdhejeshilët luajnë vetëm për fitore.
“Pavarësisht humbjes që pësuam të martën ndaj një ekipi me objektiva madhorë, ne jemi përgatitur për t’u rikthyer te fitorja. Luajtëm mirë dhe rezultati nuk na u përgjigj, si dhe nuk na u përshtat me lojën që bëmë në fushë. Ndeshja me Burrelin është e vështirë për vetë faktin, që Lushnja luan vetëm për një rezultat, fitoren. Mendoj dhe besoj, se me lojërat që kemi treguar do t’ia dalim ta mbyllim vitin në mënyrën më të mirë të mundshme, me fitore.
Kemi përballë një kundërshtar, që ka marrë disa rezultate pozitive në transferta. Duhet t’i përgjigjemi në mënyrën më të mirë, sidomos në dyluftime një kundër një. Normalisht, Lushnja nuk del nga konteksti i lojës së vet, por duhet të luajmë me marshin lart. Skuadra jonë ka marrë fitore sistematike në shtëpi. Dalim më mirë dhe më rrjedhshëm në fushën tonë, sepse edhe publiku është një shtysë, për ne. Besoj se do ta thyejmë këtë kundërshtar”, deklaroi ish-kapiteni i Lushnjës, Mikel Spaho.
ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"