Lushnja nuk fal as në miqësore, mposht Turbinën në transfertë. Trajneri Magani “gjen” sulmuesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2024 | 11:18

Lushnja nuk fal as në miqësore, mposht Turbinën në transfertë. Trajneri Magani “gjen” sulmuesit

Lushnja e trajnerit Gugash Magani e ka konfirmuar momentin pozitiv edhe në ndeshje miqësore. Të shtunën, në stadiumin “Nexhip Trungu” të qytetit të Cërrikut, u zhvillua miqësorja Turbina-Lushnja. Testi miqësorë i ka shërbyer shumë të dy skuadrave, që kanë bërë një lojë të mirë.

turbina lushnja

Lagunarët e Kategorisë së Parë kanë qenë disi më lart dhe kanë pasur në përbërje lojtarë me përvojë, por edhe Turbina nuk ka mbetur më pas dhe i është përgjigjur “dhëmbë për dhëmbë” kundërshtarëve. Miqtë shënojnë golin e parë në minutën e 40-të me mesfushorin Kimasoko, që tregohet i saktë përpara portës vendase. Këta të fundit janë munduar të gjejnë golin, por këtë pjesë të parë nuk ia kanë dalë. Në pjesën e dytë, ekipet kanë bërë disa zëvendësime, për të parë dhe gjendjen e lojtarëve të tjerë.

Canka i futur në këtë pjesë, falë përvojës, ka shënuar golin e dytë në minutën e 58-të. Xhabrahimi i ardhur te Lushnja në merkaton e verës, ka shënuar golin e tretë në minutën e 77-të. Golin e vetëm për cërrikasit e ka shënuar braziliani i ardhur gjatë merkatos, Rivaldo, në minutën e 82-të nga pika e bardhë e penalltisë. Turbina mbetet në pritje të startit të Kategorisë së Dytë, ndërsa Lushnja po bëhet gati për ndeshjen e mesjavës me Kastriotin në transfertë.

TURBINA – LUSHNJA 1-3

GOLAT: Rivaldo 82′ (11-m) / Kimasoko 40′, Canka 58′, Xhabrahimi 77′

 

Turbina: Toromani, Gjoka, Mamzaj, Diego, Zëre, Rivaldo, Qosja, Jushi, Ranxha, Alillari, Ismailaj; (U aktivizuan: Miza, Çekini, Belshi, Hoxholli). Trajner: Bledar Malaj

 

Lushnja: Haremi, Muça, Korreshi, Hida, Delia, Hysa, Mota, Kimasoko, Xhemalaj, Majkell, Kacanolli; (U aktivizuan: Alimuçaj, Canka, Tabaku, Meta, Magani, Xhabrahimi). Trajner: Gugash Magani

Gjyqtar: Andi Zdrava (Elbasan)

MARIGLEN MIRAKA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"