Lushnja pa Kupë, mesfushori Tabaku: Në Pogradec vlen trepikëshi
Lushnja është e vetmja skuadër e Kategorisë së Parë, që nuk është e përfshirë në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Kjo vjen për shkak të eliminimit befasues në turin e parë nga Oriku në “Roza Haxhiu”. Kështu që vëmendja e verdhejeshilëve është tërësisht te kampionati, teksa vendi i gjashtë është një mision i mundur për skuadrën e drejtuar nga Erion Xhafa.
Pas fitores në derbi me Apoloninë, Lushnja njeh tre transferta radhazi të humbura. Një seri që lushnjarët duan ta prishin në përballjen me Pogradecin. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori Serxhio Tabaku mes të tjerash u shpreh:
“Me Pogradecin është një ndeshje e vështirë, sepse luajmë në transfertë. Gjithsesi, synimi ynë i vetëm do të jenë tri pikët”. Verdhejeshilët po mbyllin një javë përgatitore të shoqëruar edhe me një takim miqësor të luajtur në Berat ndaj Tomorin, që e fitua me rezultat 3-1.
“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Çdo ditë po marrim ngarkesën e duhur në stërvitje, në mënyrë që të jemi gati për Pogradecin. Kemi pikë të barabarta me këtë kundërshtar dhe me Apoloninë. Patjetër që Lushnjën e shoh në 6-she. Kemi kualitet dhe cilësi të mira në ekip. Me ndihmën e trajnerit Xhafa dhe të stafit do t’ia arrijmë qëllimit. Ndaj liqenorëve do të jetë e vështirë, por jo e pamundur. Ne do të udhëtojmë drejt Pogradecit për tri pikët”, përfundoi mesfushori Serxhio Tabaku.
ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"