Luzi në Kupë dhe Egnatia, dy shënjestrat e Bylisit. Rikthehet mbrojtësi: Të shtrëngojmë “dhëmbët”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2024 | 11:04

Luzi në Kupë dhe Egnatia, dy shënjestrat e Bylisit. Rikthehet mbrojtësi: Të shtrëngojmë “dhëmbët”

Bylisi dje është përgatitur ndryshe, teksa stafi ka pasur një program enkas për atë grup lojtarësh, të cilët do të luajnë sot në Kupën e Shqipërisë ndaj Luzit në orën 13:00, në “Adush Muçaj”. Kurse pjesa tjetër kanë vijuar punën me ngarkesa të larta.

laert papa

Duke ditur se kundërshtari i turit të dytë të Kupës vjen nga Kategoria e Dytë, Luzi 2008, trajneri Dede bashkë me stafin e tij kanë menduar që të ndërtojnë një skuadër miks për këtë takim. Pritet që të luajnë disa nga titullarët, si dhe t’u jepet hapësirë lojtarëve që vijnë nga faza riaftësuese, apo ata që kanë pasur më pak minuta në kampionat.

Kualifikimi në Kupë është prioritet për ballshiotët, ndonëse fokusi kryesor i kësaj jave është përqendruar te dueli i kampionatit kundër Egnatias. Mbrojtësit Laert Papa e ka lënë pas dëmtimin dhe tashmë është gati dhe pritet të luaj sot në Kupë.

“Përpos faktit që luajmë me një ekip modest, ne e kemi vlerësuar Luzin dhe duhet të fitojmë sot dhe të sigurojmë kualifikimin. Na duhet suksesi në Kupë, në mënyrë që ta kemi moralin e lartë në fundjavë ndaj Egnatias. Aktualisht po kap formën optimale dhe jam gati të kontribuoj për ekipin sa herë që trajneri të ketë nevojë. U dëmtova në momentin më të mirë, por jam rikthyer më i fortë se kurrë.

Tani do të ndihmoj skuadrën që të realizoj synimet që ka, pasi përpara na presin takime delikate. Të shtrëngojmë “dhëmbët” dhe ta nisim kthesën nga Luzi 2008 sot në Kupën e Shqipërisë, për të vijuar me pas me Egnatian dhe Vllazninë në kampionat”, u shpreh Laert Papa për “Panorama Sport”.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"