“Ma ndjeu zemra për Egnatian”, Veseli tregon pse zgjodhi kampionët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2024 | 23:54

“Ma ndjeu zemra për Egnatian”, Veseli tregon pse zgjodhi kampionët

Frederik Veseli luajti kundër Tiranës ndeshjen e dytë si titullar me Egnatian që nga momenti që është bashkuar me këtë skuadër. Ish-lojtari i Kombëtares ka treguar pse zgjodhi rrogozhinasit, kur kishte edhe oferta të tjera, ndërkohë që vlerëson maksimalisht ambientin që ka gjetur te kampionët në fuqi. Mbrojtësi 31-vjeçar në anën tjetër pranon se aktivizimi në kampionatin shqiptar mund të jetë një hapa prapa, por jo për të në këtë moment.

veseli

“E rëndësishme ishte që luajta 90 minuta për herë të dytë në pak kohë, sepse nuk isha në aktivitet që në muajin maj. Në ndeshjen me Tiranën treguam cilësinë tonë dhe morëm tri pikët me lojë të mirë besoj. Tek Egnatia jam ambientuar shumë shpejt. Kam gjetur super lojtarë, super njerëz, më kanë pritur jashtëzakonisht mirë të gjithë”, ka thënë fillimisht Veseli për “Ora News”.

NDRYSHIMI – “Ndryshimi më i madh i Superiores me kampionatet ku kam luajtur është infrastruktura. Shqipëria nuk është në ato nivele si Seria A, B, apo Turqia, por kjo është normale. Kur të përmirësohen kushtet, edhe nga teknike lojtarët mund të rriten”, ka shtuar mbrojtësi i Egnatias.

OFERTAT – Veseli më pas ka sqaruar edhe ofertat që kisha para se të firmoste me kampionët: “Kisha disa oferta, takova disa president në Shqipëri, por Demrozi është treguar shumë serioz. Ma ndjeu zemra për Egnatian, për gjërat e rëndësishme që ka bërë vjet, për projektet dhe për ambiciet që ka. Dinamo më ka bërë ofertë, edhe skuadra të tjera kanë pasur interes.

Dua t’i falënderoj dhe kam respekt për të gjithë, por ky është futbolli, nuk mund të luash në dy ose tre skuadra njëkohësisht. Pranova Egnatian. Marrëdhënia me trajnerin Tetova është si me gjithë lojtarët e tjerë. Është shumë profesionist, ekzigjent nga ana teknike dhe taktike, ka idetë e tij”.

NJË HAP PAS – “Nga ana konkrete dhe teknike është një hap pas të luash këtu, sepse nuk është një kampionat si të tjerët. Për zgjedhjen time nuk është hap pas. Gjeta një ambient ambicioz, që u përshtatet ambicieve të mia.

Nuk u konkretizuan oferta të tjera dhe me pëlqen të ecë përpara futbolli shqiptar, sepse shoh që ka lojtarë me cilësi. Secili me mënyrën e vet, sado të vogël, mund të kontribuojë. Formula me “Final 4”? Nuk e di, nuk e kam përjetuar, ne do të luftojmë për të shkuar në 4-she dhe për titullin.

Një format i ri mund të ketë avantazhe dhe pika të dobëta. Kombëtarja? Nuk kam pasur kontakte me trajnerin që nga muaji maj, kur u dëmtova. Isha pa skuadër dhe nuk kam pasur asnjë kontakt. Nuk e pres një ftesë në këtë moment”, ka përfunduar Veseli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"