Magani dhe Dervishi të pezulluar, Lushnja mbetet pa trajnerë në pankinë ndaj kavajasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2024 | 12:43

Magani dhe Dervishi të pezulluar, Lushnja mbetet pa trajnerë në pankinë ndaj kavajasve

Fitorja në derbin e Myzeqesë kundër Apolonisë në Fier e ka rritur optimizmin në kampin lushnjar. Duke ditur se ndeshja e radhës është në “derë”, te Lushnja nuk ka vend për kënaqësi, por për punë e angazhim për kryendeshjen e javës së pestë.

stafi lushnja

Të shtunën verdhejeshilët presin Besën në “Roza Haxhiu”, skuadra që kryeson me pikë të plota Kategorinë e Parë. Fillimi i sezonit ka qenë pozitiv për Lushnjën, por dueli i së shtunës me kavajasit është një provë “zjarri”, por edhe si një mundësi për të treguar forcën reale. Në këtë takim Lushnja nuk vjen pa probleme, pasi duhet t’i bëjë llogaritë pa dy trajnerët në pankinë. Trajneri Gugash Magani u ndëshkua me karton të kuq në fund të derbit me Apoloninë, kështu që i bie të vuajë dënimin kundër Besës.

Gjatë do të mungojë edhe ndihmësi i tij, Klodian Dervishi, i cili pas ndeshjes me Kastriotin është pezulluar me 6 javë nga Komisioni i Disiplinës. Në këto kushte, dyshja e stafit teknik është e detyruar që të udhëzojë ekipin nga tribuna gjatë ndeshjes me Besën. Stafi teknik dhe disa lojtarë të Lushnjës kanë qenë prezent të hënën në stadiumin e Rrogozhinës, ku e kanë studiuar Besën në ndeshjen që ata e fituan me tregolëshin e Mazrekajt kundër Kastriotit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"