Magani pas fitores kundër Besës: Rezultati ishte gënjeshtër, duhen para “kesh” për merkato të mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2024 | 13:32

Magani pas fitores kundër Besës: Rezultati ishte gënjeshtër, duhen para “kesh” për merkato të mirë

Pas miqësores së parë të zhvilluar në shtëpi trajneri i Lushnjës, Gugash Magani, foli për një skuadër në rindërtim e sipër.

MAGANI

Në prononcimin për “Panorama Sport” ai thotë: “Duke patur parasysh që nga skuadra kanë ikur më shumë se gjysma e lojtarëve, është një skuadër e re. Ajo që më kënaqi më shumë është se nuk u dëmtua asnjë lojtar. Ne jemi më mbrapa sesa Besa me përgatitjet. Besa është skuadër shumë e mirëorganizuar. Në fakt, rezultati është gënjeshtër. Jo se ata ishin më mirë sesa ne. Ato kanë kualitete më shumë sesa ne. Ne jemi në rindërtim e sipër. Unë pres gjithmonë përforcime. Edhe pse lojtarët që u futën në fushë ishin seriozë. Megjithatë, disa nuk e kanë atë pjekurinë e duhur. Për të përballuar skuadra të nivelit të Besës dhe më gjerë”, deklaroi trajneri Magani.

Në miqësoren e parë të prag sezonit, Lushnja u pa më e thjeshtë dhe më e qartë.

“Unë, gjithmonë, këtë kam kërkuar. Edhe pse ua kam thënë edhe drejtuesve, ia kam thënë edhe kryetares së bashkisë, rezultati këtu në Lushnjë nuk më jep të drejtë. Vetëm që unë kam qenë shumë i përkushtuar. Të jem i sinqertë kam punuar dhe punoj me qejf këtu në Lushnjë. Por, nuk shikoj gjëra që skuadrat e tjera i kanë elementare. Pra, mendoj se skuadra ka nevojë shumë për të shkuar të paktën një 10- ditësh, për një fazë themelore përgatitore. Çdo lojtar ka nevojë për dy seanca ditore, të paktën dy javë para kampionatit. Na është thënë fjala që do të shkojmë në fazë përgatitore. Unë nuk po shikoj gjë. Unë pres përforcime dhe po më erdhën përforcime, atëherë themi që çfarë objektivi ka Lushnja. Vitin e kaluar u futëm shumë të fryrë. Jam akuzuar gjatë gjithë kohës, që unë e kam bërë merkaton. Po, unë e kam bërë merkaton. Por, varet se çfarë buxheti hedh për merkaton. Asnjë lojtar nuk vjen pa një ‘kesh’ në dorë. Një ‘kesh’ të majmë. T’u referohemi skuadrave të tjera mendoj, që janë më lart sesa ne tek kjo pjesë”, deklaroi tekniku i lushnjarëve Gugash Magani.

A. ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"