Mala e Balaj, drejt top-formës/ Ardit Deliu, lojtari për t’u zbuluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2024 | 23:24

Mala e Balaj, drejt top-formës/ Ardit Deliu, lojtari për t’u zbuluar

Ekipi i Vllaznisë i është rikthyer stërvitjes që ditën e hënë. Kuqeblutë që barazuan në shifrat 2-2 në javën e 10-të përballë Partizanit kanë nisur përgatitjet anti-Tirana. Humori në kampin shkodran nuk ka qenë më i miri i mundshëm, pasi në ndeshjen e fundit kërkohej fitorja, e cila nuk erdhi vetëm si pasojë e një goli të Mbasë në minutat shtesë për Partizanin.

VLLAZNIA

Megjithatë Brdariç dhe stafi i tij kërkojnë të lënë pas ndeshjen ndaj Partizanit dhe të fokusohen tek ajo e radhës kundër Tiranës. Ku ndaj bardhebluve do të kërkohet fitorja, që mungon prej 4 ndeshjesh radhazi për Vllazninë.

Një lajm i mirë në kampin kuqeblu duket përmirësimi i gjendjes fizike të Balajt dhe Malës. Si sulmuesi ashtu edhe mesfushori kanë shfaqur probleme fizike së fundmi. Situata e tyre duket më e përmirësuar gjatë këtyre ditëve. Po ashtu edhe Çoba pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës kundër Tiranës. Grupi i futbollistëve është i plotë për Vllazninë në prag të klasikes. Fakt që patjetër gëzon Brdariç, i cili do ketë alternativa më të shumta në përballjen e mesjavës kundër kryeqytetasve.

Ishte një nga afrimet e bujshme të Vllaznisë këtë merkato, ku kaloi nga Tirana te shkodranët. Fjala është për Ardit Deliun, mesfushorin nga Kavaja, i cili ka humbur hierarkitë në radhët e kuqebluve.

Pavarësisht se sezonin e nisi si titullar në 3 ndeshjet e para, por një dëmtim në një ndeshje miqësore ndikoi te ecuria e 26-vjeçarit. Së fundmi ai është kthyer me skuadrën pas dëmtimit, por ende duke mos marrë minutat e para, duke u shndërruar në një objekt “misterioz” te kuqeblutë. Patjetër ai pritet me kureshtje edhe nga tifozët shkodranë, që kanë parë shumë pak nga cilësitë e mesfushorit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"