Manovra e merkatos bardhezi/ Xhuntoli kërkon ta bëjë sulmin… “Shik”
Dushan Vlahoviç dëmtohet me kombëtaren dhe Juventusi e gjen veten pa një alternativë të tij në supersfidën ndaj Milanit. Kjo gjë ndodhi pas 16 javësh, por mund të ndodhte edhe më herët për të kaluar sulmin në emergjencë totale.
Megjithatë, tashmë mungesa e Vlahoviç është fakt i kryer dhe Mota e Xhuntoli nuk duan që të gjenden në situata të tilla edhe më vonë duke parë se sezoni është i gjatë dhe do të mbyllet në korrik pas Kupës së Botës për klube. Për këtë arsye, drejtuesi i “Zonjës” është i detyruar që përveç mbrojtjes, të ndërhyjë edhe në sulm në merkaton e janarit.
Tashmë në skenë ka dalë një emër që ka qenë edhe më parë i lidhur me Juventusin, por transferimi dështoi në fund. Bëhet fjalë për Patrik Shik i cili ka kaluar në krye të listës së Xhuntolit për sulmin. Shik ishte shumë pranë “Zonjës” në vitin 2017, por transferimi dështoi pasi sulmuesi nuk kaloi dot vizitat mjekësore.
Më pas ai u transferua te Roma, ndërsa aktualisht është pjesë e Bajer Leverkusenit. Në këtë sezon, Shiku nuk është i kënaqur në Gjermani sepse nuk po aktivizohet mjaftueshëm. Prandaj edhe sulmuesi çek është i hapur për një transferim te “Zonja e Vjetër” të cilin e ka kërkuar me ngulm edhe vite më parë.
Xhuntoli ka nisur menjëherë kontaktet e para për të siguruar shërbimet e 28- vjeçarit që në ditët e para të janarit, edhe pse për momentin nuk ka folur ende për shifra konkrete. Megjithatë, mediat në Itali janë të bindura se Patrik Shik është objektivi kryesor i sulmit tashmë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"