Marko Alia karikon Skënderbeun: Gati të mposhtim Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2024 | 20:41

Marko Alia karikon Skënderbeun: Gati të mposhtim Dinamon

Skënderbeu do të kërkojë fitoren të shtunën kundër Dinamos në Korçë, me synimin për të rikthyer harmoninë dhe entuziazmin në skuadër pas ecurisë jo të mirë të javëve të fundit. Një fitore që mungon në Korçë prej 21 shtatorit, kur Skënderbeu thyente Laçin.

alia

Dy muaj pa një sukses në shtëpi janë shumë për bardhekuqtë dhe për këtë arsye kjo shihet si alternativa e vetme në përballjen me Dinamon. Korçarët do të kërkojnë të bëjnë maksimumin dhe motivimi është në majë para kësaj ndeshjeje, kjo duket edhe gjatë përgatitjeve që korçarët janë duke bërë. Për portierin Marko Alia, ekipi ka përqëndrimin e duhur për të bërë paraqitjen më të mirë të mundshme në ndeshjen e radhës, duke synuar fitoren dhe kaluar në një pozicion më komod në renditje.

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, Alia thekson se është momenti për të treguar potencialin e vërtetë. “Jemi në një moment që duhet të bëjmë më të mirën dhe kjo është ajo që na duhet për momentin. Vijmë nga një barazim në Durrës, që mund të quhet rezultat pozitiv. Kjo periudhë pushimi na ka shërbyer për të rregulluar shumë gjëra në grup, për mënyrën e interpretimit të lojës dhe gjithçka tjetër që kemi pasur problem.

Tani jemi të përqendruar tek ndeshja kundër Dinamos dhe duam që të bëjmë më të mirën. Luajmë në shtëpinë tonë dhe normalisht që duam të marrim një fitore për pozicionin që kemi në renditje, por edhe për tifozët tanë që na kanë mbështetur maksimalisht. Jemi të bindur se potenciali dhe mundësitë tona e justifikojnë këtë objektiv.

Jemi një grup i bashkuar dhe kjo na ndihmon për të kaluar edhe situata të vështira”, ka thënë fillimisht Marko Alia, duke dhënë mesazhin e qartë për grupin se ndeshja ndaj Dinamos është një pikë e rëndësishme e kthesës.

Fitorja në ndeshjen e radhës në kampionat është një objektiv konkret për korçarët kundër skuadrës së Ilir Dajës, që kthehet në Korçë si kundërshtar pas gati tri vitesh. Edhe pozicioni në renditje i Skënderbeut kërkon menjëherë kthesën e rezultateve, prandaj dhe në klub janë të gjithë të motivuar për të marrë më të mirën të shtunën.

Trajneri Ivan Gvozdenoviç duhet të ribëjë mbrojtjen për faktin se nuk do të ketë të gatshëm kapitenin Elvis Prençi dhe brazilianin Marko Ramos. I pari për dëmtim dhe i dyti për kartonë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"