Mateo Panadiç: Sezon i vështirë, Pogradeci ia del edhe në pjesën e dytë të sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2024 | 17:28

Mateo Panadiç: Sezon i vështirë, Pogradeci ia del edhe në pjesën e dytë të sezonit

“Pozitat që kemi aktualisht në renditje na japin besim për një vazhdimësi më pozitive”. Kështu e nis prononcimin e tij për “Panorama Sport”, sulmuesi kroat i Pogradecit, Mateo Panadiç. Në tre golat e shënuar, dy kanë pasur vlera përcaktuese në marrjen e tri pikëve nga ana e liqenorëve. 

panadic pogradec

Madje 30-vjeçari e bëri “sefte” duke shënuar golin e parë në ndeshjen e parë kundër Kastriotit në “Gjorgji Kyçyku”. Në prononcimin e tij për gazetën, sulmuesi kroat analizon ecurinë e skuadrës pogradecare në 17 javët e luajtura në kampionat. “Ashtu si çdo skuadër, kemi bërë ndeshje të mira dhe jo të mira. Pozicionimin në vendin e gjashtë e konsideroj pozitiv me ato çfarë kemi dhënë deri tani. A kemi mundësi të jemi më mirë? Sigurisht që po. Kemi një grup futbollistësh të zot, shto edhe klimën e mirë që ekziston në skuadër, çdo gjë bëhet e arritshme”, u shpreh Mateo Panadiç, i cili u bashkua me liqenorëve në merkaton e verës.

Ndeshjet në vazhdim i parashikon të vështira për Pogradecin, por sipas tij, asgjë nuk është e pamundur. “Nëse ekziston besimi te vetja, çdo gjë bëhet e arritshme. Parashikoj një kampionat të luftuar nga të gjithë konkurrentët. Jam optimist se skuadra do ta thotë mirë fjalën e saj. Futbolli është i bukur pikërisht për këtë, se është i pa parashikueshëm dhe duhet vlerësim maksimal në çdo ndeshje”, shprehet në fund të komentit të tij, sulmuesi kroat. Për llogaritë e javës së 18-të, liqenorët do të ndeshen në transfertë ndaj Kukësit.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"