Mbahet Asambleja Zgjedhore, Elez Gjoza konfirmohet president i FSHP-së me 94% te votave
Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka zhvilluar dje në qytetin e Shkodrës Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore.Një asamble e rëndësishme, në të cilën u mandatuan drejtuesit e rij në shtangës për 4-vjeçarin e ardhshëm. Në garën për presidenti ishin dy kandidatë, drejtuesi aktual Elez Gjoza si dhe Asim Belinova. Në asamble morën pjesë 16 shoqata anëtare të FSHP-së, ndërsa i pranishëm për ta ndjekur nga afër ishte edhe presidenti i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli.
Gjithashtu nuk mungonte as përfaqësuesi i Federatës Europiane e Peshëngritjes, Astrit Hasani, njëkohësisht president i Federatës së Kosovës. Duke kaluar te votimi, gara nuk kishte histori, pasi Gjoza triumfoi me rezultat të thellë, duke marrë 15 vota, kundrejt vetëm 1 vote të Belinovës.
Kështu rreth 94% e komunitetit të peshëngritjes i besuan sërish timonin Gjozës, i cili do ta drejtojë shtangën shqiptare për mandatin e dytë radhazi. Kujtojmë që Gjoza ka qenë në krye të FSHP-së edhe për 6 vite në periudhën 2013-2018, ndërsa ai mban aktualisht edhe rolin e presidentit në Federatën Ballkanike të Peshëngritjes, institucion i ri-ngritur vetëm disa javë më parë.
Përveç presidentit, dje u zgjodh edhe bordi i ri drejtues i FSHP-së, i cili do të përbëhet nga Artur Lagja, Leonard Toska, Asim Belinova, Arben Qafa, Endri Karina dhe Ilir Topuzi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"