Mbahet kongresi botëror, Shqipëria “shtëpia” e mundjes! Sot nisin garat për kampionatin e peshave jo-olimpik
Shqipëria gjatë viteve të fundit është shndërruar në një atraksion të rëndësishëm ndërkombëtar në sportin e mundjes, duke pritur një sërë evenimentesh të rëndësishme.
Ngjarja e fundit e rëndësishme ishte Kongresi Bashkimit Botëror të Mundjes, i zhvilluar dje në Shijak, me pjesëmarrje të mbi 230 delegatëve nga 117 shtete të ndryshme të botës. Një organizim i shkëlqyer nga Federata Shqiptare e Mundjes, e cila është kthyer në një partner shumë të rëndësishëm për institucionin më të lartë ndërkombëtar të këtij sporti.
Kujtojmë që dje në Tiranë u mbyll edhe Botërori U-23, event i organizuar në perfeksion në sallën “Feti Borova”, ndërsa sot do të nisë një tjetër aktivitet madhor në kryeqytet, siç është Botërori për të rritur në peshat jo olimpike. Një kampionat që rikthehet të mbahet pas 8 vitesh mungesë. Rreth 300 mundës do të jenë në Tiranë duke garuar në 12 pesha në stilin e lirë, në stilin greko-roman dhe për femra. Garat në stilin e lirë do të jenë në peshat 61 kg, 70 kg 79 kg dhe 92 kg.
Në stilin greko-Roman do të konkurrohet në peshat 55 kg, 63 kg, 72 kg dhe 82 kg. Ndërsa për femra në konkurrim do të jenë peshat në 55 kg, 59 kg, 65 kg dhe 72 kg. Në këtë event nuk do të mungojnë yjet e mundjes botërore, ish-kampionë olimpikë si Jordan Burroughs, David Taylor, Abdulrashid Sadulaev dhe Kinjo Risako.
Botërori për peshat jo olimpike do të vijojë deri më datë 31 tetor në sallën “Feti Borova”. Kujtojmë që edhe vitin e kaluar vendi ynë priti aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare si Europiani U-17 dhe Botërorin U-23.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"