Mbretërit e Muxhelos/ Nga Biaxhi te Lorenco, mbi të gjithë qëndron Valentino Rosi
Pas një pauze gati njëmujore, Kampionati Botëror i Moto GP-së do të rikthehet këtë fundjavë për Çmimin e Madh të Italisë. Shtatë pilotë kanë lënë gjurmë në cirkuitin e famshëm toskan, duke fituar të paktën tri herë, duke marrë parasysh të gjitha kategoritë.
Nga tripleta e Pazinit te rekordet e Valentino Rosit, ja cilët janë mbretërit e Muxhelos, më të suksesshmit në pistën italiane.
ROBERT LOKATELI – Cirkuiti i Muxhelos ka qenë shpesh skena e shfaqjeve të mrekullueshme nga Roberto Lokateli. Piloti italian ka arritur tri fitore në këtë pistë, duke filluar nga edicioni i vitit 1999, ku mposhti Marko Melandrin dhe Noboru Uedan. Një vit më pas Lokateli fitoi me diferenca të mëdha nga kundërshtarët, duke filluar me Mirko Xhiansantin, i klasifikuar i dyti. Në 2004-ën Roberto kompletoi tripletën duke mposhtur Keisi Stonerin dhe Hektor Barberën në sprint.
MAKS BIAXHI –Maks Biaxhi gjithashtu ka arritur të shprehet në nivele të shkëlqyera në Muxhelo gjatë karrierës së tij. Tri fitore të regjistruara të gjitha në klasin 250. Dy sukseset e para erdhën si pilot i Aprilias. Në vitin 1995 ai mbajti në distancë rivalin e tij Tetsuia Harada.
Një vit më vonë, Biaxhi la pas me mbi 6 sekonda një Marçelino Luki në formë të shkëlqyer. Ndërsa triumfi i tretë për të do të vinte në 1997-ën, këtë herë me Hondën, me Biaxhin që fitoi pas një dueli deri në frymën e fundit kundër Lukit dhe Kapirosit, duke i mposhtur përkatësisht me 50 dhe 68 të mijtat.
MATIA PASINI – Tri fitore në Muxhelo edhe për Matia Pasinin. Një tripletë që nisi në vitin 2006 në kategorinë 125. Në radhët e Aprilias, italiani mundi kampionin e ardhshëm Alvaro Bautistën me vetëm një të mijtën. Një sprint i paharrueshëm, po aq i veçantë sa dueli i vitit 2009 kundër Marko Simonçelit në kategorinë 250. Nën shiun e rrëmbyeshëm, të dy e luftuan deri në xhiron e fundit, por ishte Pasini që triumfoi në sprintin final. Në vitin 2017 erdhi edhe fitorja e tretë, këtë herë në Moto 2.
MARK MARKEZ- Pista toskane gjithashtu ngjall kujtime të ëmbla edhe për Mark Markezin, tri herë fitues në Muxhelo. Suksesi i tij i parë në kampionatin botëror ka ardhur pikërisht në cirkuitin italian. Ishte viti 2010 dhe spanjolli fitoi sprintin përpara Niko Terol dhe Pol Espargaros në kategorinë 125. Vitin pasues, në Moto 2, Markez mori fitoren duke mposhtur Stefan Bradëll me vetëm 71 të mijtat. Për festën e parë në Moto GP, Markez duhej të priste vitin 2014.
Një pritje që ia vlejti, pasi ishte një sukses i parëndësishëm. Piloti i Hondës kishte një duel të gjatë me Horge Lorencon, ndërsa e mposhti rivalin e tij të Yamahës në xhiron e fundit. Ky sukses e bën Markezin, bashkë me Valentino Rosin, pilotët e vetëm që kanë fituar të paktën një garë në tri kategori të ndryshme në Muxhelo.
MIK DOHAN – Gjashtë triumfe radhazi nga Mik Dohan në Muxhelo. Australiani arriti suksesin e tij të parë në vitin 1993, kur gara kishte ende emërtimin e San Marino GP. Një fitore e veçantë sepse ishte triumfi i parë në kategorinë 500 pas aksidentit të tmerrshëm në vitin 1992 në Asen, kur karriera e Mik u vu në rrezik serioz.
Një vit më pas ai triumfoi me Hondën e tij, përpara Luka Kadaloras dhe Kevin Shvantz. Dohan ishte gjithashtu i pathyeshëm në sezonin 1995, duke e mbajtur Daril Biti, kundërshtarin për titull, në një distancë të sigurt. Afirmimi i vitit 1996 ishte më i vështirë, me shokun e skuadrës Aleks Krivil që u dorëzua vetëm në fund. Një tjetër dominim vitin e ardhshëm, përsëri para Kadaloras dhe Nobuatsu Aoki. Në vitin 1998, për suksesin e fundit, mposhti rivalët e Maks Biaxhit dhe Aleks Krivilit.
HORGE LORENCO – Lorenco ka pasur gjithmonë një përshtatje të mirë me Muxhelon. Spanjolli e ka lënë vulën e tij plot shtatë herë me triumfe në këtë cirkuit, duke filluar nga viti 2006, kur ishte ende pjesë e kategorisë 250. Më pas fitoret në Moto GP, pothuajse të gjitha si një pilot i Yamahës.
Në vitin 2011, Lorenco mahniti duke “djegur” në fund Keisi Stonerin me atë parakalim të mrekullueshëm. Sukseset e viteve 2012, 2013 dhe 2015 ishin më të lehta, të cilat erdhën të gjitha pas garave të udhëhequra nga fillimi në fund. Tepër emocionuese ishte fitorja e vitit 2016, me Lorencon që gjeti trajektoren dhe shpejtësinë e duhur në kthesën e fundit, duke mposhtur Mark Markezin pak para vijës së finishit. Në vitin 2018, Lorenco shënoi edhe fitoren e parë me Dukatin në pistën italiane.
VALENTINO ROSI – Mbreti i mbretërve në Muxhelo është padyshim Valentino Rosi. “Doktori” mban rekordin për sa u përket fitoreve, 9. E para në vitin 1997, kur garonte në kategorinë 125. Një sukses që u bë i famshëm për kukullën e fryrë të mbajtur në motor gjatë xhiros së nderit. Për dopietën, Rosit iu deshën 2 vite pritje, në 1999-ën në kategorinë 250. Më pas radha për shtatë magjitë e njëpasnjëshme në Moto GP, duke filluar nga viti 2002.
Në vitin 2003 Rosi mposhti Maks Biaxhin në pjesën e dytë të garës, ndërsa në 2004-ën iu desh të luftonte shumë kundër një rivali si Sete Zhiberno në asfaltin e rrëshqitshëm. Një tjetër fitore ndaj Biaxhit në vitin 2005, në një garë me poker të italianëve në katër vendet e para. Një vit më vonë, Valentino “sistemoi” Loris Kapirosin në xhiron e fundit. Dy fitoret e fundit erdhën me diferenca, në vitet 2007 dhe 2008, duke lënë pas respektivisht Daniel Pedrosën dhe Keisi Stonerin.
Përgatiti: ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"