Mbrojtësi Hoxha: Reagojmë në Ballsh, Dinamo për katërshen e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2024 | 16:23

Mbrojtësi Hoxha: Reagojmë në Ballsh, Dinamo për katërshen e parë

Mbrojtësi me shumë eksperiencë i Dinamos, Rustem Hoxha, beson për një sezon më të mirë sesa ai i vjetshmi, me blutë në 4-shen e parë në fund të tij. Ai parashikon një kampionat shumë të luftuar, ndërkohë vlerëson përforcimet e bëra nga Dinamo dhe shpreson shumë për fitoren e parë kundër Bylisit në ndeshjen e radhës.

Rustem-Hoxha

Rustem, së pari një koment për ndeshjen me Egnatian, ku Dinamo nuk mundi t’i bënte kampionatit nisjen që donte?

E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë, sepse dihet që Egnatia ka një skuadër shumë të mirë, është kampione në fuqi. Ishim përgatitur për një ndeshje të fortë. Të tilla ndeshje vendosen nga episodet dhe për fat të keq ne nuk i shfrytëzuam episodet në favorin tonë. Na vjen keq që nuk morëm rezultat pozitiv, por duhet të shohim përpara.

Skuadra ka ndryshuar jo pak në krahasim me sezonin e kaluar. A e ka grupin për të shkuar në 4-shen e parë?

Po, është e vërtetë që Dinamo ka bërë disa ndryshime nga sezoni i kaluar. Kemi bërë afrime të rëndësishme dhe unë besoj shumë te ky grup, ndërkohë që mund të bëhet edhe ndonjë përforcim tjetër deri në fund të merkatos. Besoj se kemi skuadër që do të rivalizojë fort dhe do të jemi në 4-she.

Si e parashikon ndeshjen e radhës në Ballsh. Ka forcë të reagojë skuadra pas humbjes në javën e parë?

Në Ballsh na pret një ndeshje e vështirë, pasi edhe ata vijnë nga humbja në javën e parë. Por, nuk ka asnjë ndeshje të lehtë në Superiore, ne e dimë mirë këtë gjë. Patjetër që kemi forcë të reagojmë jo vetëm ndaj Bylisit, por ndaj çdo kundërshtari. Duhet ta vlerësojmë drejt çdo ndeshje, duke dhënë maksimumin tonë.

Si një lojtar me eksperiencë, çfarë kampionati parashikoni këtë vit?

Do të jetë pa dyshim një kampionat shumë i luftuar deri në javën e fundit. Kjo po bëhet e zakonshme tani në futbollin shqiptar. Gati të gjitha skuadrat kanë bërë ndryshime në lojtarë dhe stafe teknike, do të jetë një garë e fortë dhe e bukur besoj. Ne nga ana jonë do të përpiqemi ta çojmë Dinamon në vendin që meriton.

Ku e shikoni Dinamon në fund të sezonit?

Është shumë herët për të bërë parashikime të sakta, sepse është luajtur vetëm java e parë. Me shumë punë dhe përqendrim do të mundohemi të fitojmë ndeshjet tona, duke synuar të grumbullojmë sa më shumë pikë. E thashë që në fillim se besoj shumë te ky grup që kemi. Presidenti Bardhi ka afruar lojtarë me kualitet dhe eksperiencë, siç janë Bregu dhe Dita që e njohin kampionatin tonë shumë mirë, Muzek po ashtu ka eksperiencë. Por, janë afruar dhe lojtarë të rinj të talentuar, që e bëjnë Dinamon një skuadër të fortë. Jemi në nga skuadrat me më shumë trofe në futbollin shqiptar dhe tani na takon ne ta çojmë Dinamon aty ku e meriton të jetë. Për këtë do të japim gjithçka në fushë dhe shpresoj që të gjejmë fitoren që në ndeshjen e radhës me Bylisin.

F. RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"