Mbrojtësi i Besës: Boll gabuam, për pikë në Lushnjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2023 | 12:54

Mbrojtësi i Besës: Boll gabuam, për pikë në Lushnjë

Besa është gati për Lushnjën. Luajnë në transfertë, por llogaritë janë të qarta: të mos kthehen duarbosh. Fitorja është zgjidhja më e mirë për t’iu larguar zonës së rrezikut, por edhe një pikë nuk do të ishte keq.

Besa Perja

I këtij mendimi është Myslim Ramilli, mbrojtësi anësor i kavajasve. Ai e pranon që situata nuk është ndër më të mirat për verdhezinjtë, por nuk ka në plan që të dorëzohet. Beson fort se loja e mirë do t’u shpërblehet një ditë dhe shpreson që ajo ditë të jetë pikërisht sot. Gjatë deklaratës së dhënë enkas për “Panorama Sport”, 29-vjeçari shpreh edhe merakun që ka për prapavijën dhe golat që pësohen me aq lehtësi.

“Kudo ku luajmë jemi të detyruar që të kërkojmë pikë. Nuk mund të bëjë përjashtim as fusha e Lushnjës. Kundërshtari është i fortë dhe mbi të gjitha po kalon vështirësitë që po kalojmë edhe ne. Kjo e bën të vështirë këtë përballje. E megjithatë, jemi të dënuar për të mos çeduar më. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Kur sheh renditjen, kupton që boll kemi humbur kohë dhe shpërdoruar. Kemi lënë dy pikë me Kastriotin dhe humbur me Vorën. Në të dyja rastet, në shtëpi. Ka ardhur koha që t’i rikuperojmë, qoftë edhe në transfertë. Asgjë nuk është e pamundur në futboll dhe sidomos kur luan me dëshirë dhe grintë. S’na mungojnë as loja dhe as rastet. Thjesht po falim shumë gola dhe këtë pjesë duhet ta korrigjojmë. Uroj që kjo të nisë nga nesër (sot). Ka ardhur koha që të marrim edhe ne pikët që realisht meritojmë”, tha Ramilli.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"