Mbrojtësi Imami: Vora e ndërtuar për Superioren, rivalët në “siklet” prej nesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2024 | 17:00

Mbrojtësi Imami: Vora e ndërtuar për Superioren, rivalët në “siklet” prej nesh

Vora ka përfunduar fazën përgatitore me ndeshjen e fundit miqësore kundër Valbonës, duke regjistruar 6 fitore dhe një humbjen përballë Tiranës. Skuadra vorake është e gatshme për startin e kampionatit, ku të shtunën presin Apoloninë.

imami vora

Vora nuk fsheh synimet dhe objektiv mbetet ngjitja në Superiore. Trajneri Bellai, së bashku me stafin dhe drejtuesit kanë ndërtuar një skuadër për të përmbushur misionin. Është ruajtur grupi, ku bën pjesë edhe qendërmbrojtësi, Eni Imamit, i ardhur gjatë merkatos së janarit. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport, Imami tregon situatën e Vorës para startit të kampionatit, si edhe objektivat, ku rivaliteti mbetet i lartë në Kategorinë e Parë.

Jeni një nga lojtarët më me përvojë te Vora, si e shihni këtë skuadër?

Në ndryshim nga periudha kur unë ju bashkova Vorës, këtë skuadër e shikoj më kompakte dhe të pjekur. Grupi është plotësuar, por merkato  vijon deri në fund të gushtit. Nëse vjen dikush me eksperiencë dhe që e njeh mirë futbollin shqiptar, mendoj se është i mirëpritur.

Si janë marrëdhëniet me trajnerin e ri dhe me grupin e krijuar?

Me trajnerin e ri, Arian Bellai, kemi marrëdhënie mjaft të mira. Ai vjen si një trajner me rezultate e plot ide, duke sjellë harmoni në skuadër. Trajneri ka idetë e tij dhe sigurisht që ne do i ndjekim. Jo më kot, ky trajner arriti objektivin duke e ngjitur Bylisin në Superiore. Tani, uroj që këtë gjë ta përsërisë edhe me Vorën.

Nisur edhe nga faza përgatitore, a është gati Vora për sezonin e ri?

Ne kemi bërë një fazë përgatitore, që mund t’i vendosim notën 10. Ndeshjet miqësore tregojnë shumë për rezultatet e ajo që është më e rëndësishme, paraqitja e ekipit tonë. Nuk ka rëndësi për emrin e ri që ka klubi në arenën futbollistike, ku shumë njerëz janë skeptikë lidhur me objektivin, që ka kjo skuadër. Jam i bindur që këtë sezon do të realizohet ajo që kërkonim gjatë sezonit të kaluar.

E nisni kampionatit në shtëpi kundër Apolonisë. Si e gjykoni këtë takim dhe ai ka Vora mundësitë që të startuar me fitore?

Ndeshja e parë është gjithmonë e sikletshme, si për ne dhe për kundërshtarin. Aq më shumë që përballë kemi një skuadër të fortë e ndoshta me pretendime, si Apolonia. Gjithsesi, do të tentojmë fitoren, jo vetëm këtë të shtunë, por në çdo ndeshje të kampionatit. Vora e këtij sezoni është ndërtuar për të bërë hapin e madh.

Çfarë do t’i sugjeronit trajnerit për të bërë më mirë kjo skuadër?

Asgjë më tepër, madje e theksova më lart se duhet të jemi ne ata që duhet të ndjekim trajnerin, sepse ai është një fitues.

Cilat janë forcat, mundësitë dhe sa mund të japë Imami këtë sezon?

Ndihem në formë sepse faza përgatitore ka qenë mjaft aktive dhe jam të lumtur këtu ku jam. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për një lojtar. Kam akoma shumë për të dhënë dhe e mendoj shumë larg ditën që do tërhiqem, edhe pse jam 31 vjeç, që është mosha më e bukur. Uroj ta ndihmoj ekipin, aq më shumë ia kam borxh. Këtë gjë ia kam bërë dije dhe vetë presidentit të klubit, që sezonin e kaluar.

Cilën prej skuadrave e shihni si rivale dhe pretendente për Superioren?

Në radhë të parë vlerësoj Flamurtarin, sigurisht edhe Besën. Mendoj që ata na kanë pak më shumë siklet ne të Vorës, sepse e treguam dhe vjet që me të vërtetë jemi ekip i ri, por arritëm që t’i shkonim shumë pranë synimit “Superiore” që vitin e parë. Imagjinoni në të dytin…..?

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"