Mbrojtësi Imami: Vora ka bindur edhe skeptikët, jemi në rrugën e duhur drejt Superiores
Brenda katër ditëve, Vora do të zhvillojë dy ndeshje në stadiumin e saj. Fillimisht, të mërkurën, do të presë Gramshin në Kupë dhe të dielën do të kenë si mysafirë Lushnjën për kampionat. Stafi teknik ka vijuar rregullisht seancat stërvitore në krye të ekipit, për të qenë sa më të përgatitur për këto dy përballje. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” mbrojtësi Eni Imami flet për situatën e Vorës, si dhe dy ndeshjet e kësaj jave, në Kupë dhe kampionat.
Vora do të zhvillojë dy ndeshje në harkun e katër ditëve, me Gramshin për Kupë dhe Lushnjën në kampionat. Si i shikoni këto dy sfida?
Mendoj se skuadra e Vorës ka krijuar identitetin e saj. Edhe skeptikët që e konsideronin si një skuadër pa emër të madh në futbollin shqiptar, tashmë e shohin si një pretendente për t’u ngjitur në Superiore. Mendoj se identiteti i skuadrës sonë po bëhet më se i qartë në çdo përballje, qofshin këto ekipe të mëdha apo të vogla. Synimi ynë i vetëm ka qenë gjithmonë i qartë, vetëm fitorja. Për ne Kupa është një histori më vete, sidomos turi i parë, që historikisht ekipet e forta në letër i lejon të bëjnë rotacione. Ndërsa në kampionat luhet tjetër muzikë, sidomos këtë vit kur pas 7 javësh të luajtura, janë shpallur tre skuadrat pretendente. Besa, Vora dhe Flamurtari besoj se së bashku do të jemi deri në fund duke kërkuar gabimin që do t’i kushtojë secilës për të mos realizuar objektivat. Prandaj, çdo gabim kushton rëndë. Në kampionat duhet të bëjmë më shumë kujdes, kështu që merr vlera më të mëdha takimi kundër Lushnjës.
Sa ju ka kushtuar humbja e vetme në Vlorë, 3-0?
Sigurisht, na ka kushtuar shumë rëndë. Flamurtari është një ekip i mirë, por dhe ne gabuam se e mbivlerësuam më shumë sesa realiteti. Ajo ishte dita më e keqe e Vorës. Ekip i mirë është ai që reagon shpejt pas gabimit, siç bëmë ne pas ndeshjes me Flamurtarin. Atë humbje ia kemi lënë statistikave të së kaluarës.
Edhe me Besën do ta luani në transfertë. Mos është ky një rast që të bëni diferencën, për të marrë kreun?
Tashmë jemi në një fazë që ne nuk duhet të bëjmë gabime. Duhet të jetë “zero” koeficienti i tyre. Besa, ashtu si dhe Vora, po bën një kampionat të mirë dhe të kujdesshëm. Jemi aty fare pranë saj dhe shanset janë të gjitha të hapura. E ritheksoj, futbolli shqiptar nuk ka diferenca të mëdha. S’ka më ekipe si Skënderbeu me Salihin, Lilajn & Co që dominonin. Ndërsa sot, si Superiorja dhe Kategoria e Parë thuajse janë në të njëjtin nivel cilësie. Kështu që pse jo në fund të fazës së parë Vora të jetë e para në renditje. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"