Mbrojtësi Korreshi: Lushnja mbron gjashtëshen e parë në Kukës, skuadra është më plotë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2025 | 15:50

Mbrojtësi Korreshi: Lushnja mbron gjashtëshen e parë në Kukës, skuadra është më plotë

Lushnjarët vijojnë të përgatiten për ndeshjen me Kukësin, që do ta luajnë nesër në transfertë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Erion Xhafa vjen në këtë përballje pas humbjes në shtëpi me Vorën, teksa ka ruajtur vendin e gjashtë vetëm në saj të golavarazhit.

MARJUS KORRESHI

Për ndeshjen me Kukësin rikthehen në formacionin verdhejeshil dy lojtarë të rëndësishëm për skuadrën, qendërmbrojtësi  Marjus Korreshi dhe mesfushori Fousney Kamisoko. Të dy lojtarët kanë vuajtur skualifikimin nga kartonët në javën e shkuar. Në një prononcim për “Panorama Sport” mbrojtësi Marjus Korreshi u shpreh: “Përballja me Kukësin, për ne është ndeshja e radhës në transfertë. Ekipi ka marrë ngarkesën e duhur nga stafi, si fizikisht dhe taktikisht. Gjendja është shumë e mirë, plus që futbollistët e pezulluar do të rikthehen ndaj Kukësit.

Në këtë sfidë do të jemi të plotë, pa mungesa, dhe kjo është një gjë e mirë, pasi dihet se synojë vetëm fitoren ndaj verilindorëve. Lojtarët janë të bindur për një rezultat pozitiv. Dihet që objektivi ynë është qëndrimi në gjashtëshen e parë, që na mban në zonën ‘play off’. Ne do të japim maksimumin edhe në këto ndeshje që na kanë mbetur deri në mbarimin e fazës së dytë. Deri në fund të kampionatit do të luftojmë për të marrë më të mirën në çdo ndeshje, duke u motivuar dhe nga mbështetja e tifozëve tanë të zjarrtë”.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"