Mbrojtësi paralajmëron Flamurtarin: Valbona e mbyll vitin duke festuar me tri pikët
Skuadra debutuese në Kategorinë e Parë, që u ndërtua si ekip në momentet e fundit të nisjes së kampionatit është gati për sfidën me Flamurtarin. Edhe pse u tha që kjo skuadër do të ishte në mesin “e artë” të tabelës, kampionati nxori në dritë mungesën e një përvoje të grupit të ri.
Tashmë kur do të luhet dhe ndeshja e fundit për këtë vit, ajo e së shtunës kundër Flamurtarit në shtëpi, nuk mendohet gjë tjetër përveçse fitores ndaj tyre. Kjo të paktën do ta zbuste disi “luftën” për të qenë në garë për mbijetesën, duke mos u shkëputur nga ekipet rivale. Edhe pse tropojanët kanë zhvilluar lojëra të bukura, duke befasuar edhe ekipet pretendente, nuk kanë qenë efikasë në pikë.
Disa nga arsyet ishin mungesa e përvojës, gjykimet jo të drejta ndaj tyre, duke u hequr fitoren nga duart, por edhe mungesat e shumta, sidomos këto javët e fundit si nga ana e disiplinës, por edhe nga dëmtimet. E për të menduar seriozisht për objektivin e vetëm që i ka mbetur Valbonës, kjo ndeshje duhet kaluar me fitore. Kapiteni tropojan, Agustin Mashi, thekson se kjo sfidë merr rëndësi për ecurinë dhe mbijetesën e Valbonës edhe pse jemi në mesin e kampionatit.
“Kundër Flamurtarit është ndeshja e fundit e vitit. Duhet të japim gjithçka nga vetja, për të mos dalë kokulur nga fusha. Flamurtari është një skuadër e fortë e ndërtuar për elitën dhe gëzon respektin e gjithë tropojanëve, për ato që i ka dhënë futbollit shqiptar. Ne jemi në “hall” dhe na duhen pikët e kësisoj do të luftojmë për fitore, e cila na duhet për mbijetesën. Ne duhet ta mbyllim duke festuar këtë fitore”, është shprehur qendërmbrojtësi tropojan, Agustin Mashi.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"