Mbushi 19 vjeç si titullar te Burreli, Hoti: Fitorja me Lushnjën më zbukuroi ditëlindjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2024 | 17:19

Mbushi 19 vjeç si titullar te Burreli, Hoti: Fitorja me Lushnjën më zbukuroi ditëlindjen

Burreli e ka mbyllur vitin 2024 në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa ka fituar në transfertë 0-1 me Lushnjën. Kjo është fitorja e tretë radhazi, pas asaj të Pogradecit në transfertë dhe Kastriotit në Burrel.

burreli feste

Matjanët konsolidojnë kështu vendin e katërt me 30 pikë dhe shkëputen nga ndjekësi më i afërt, Kastrioti me 6 pikë. Fitorja në Lushnjë ishte një dhuratë e bukur për festat e fundvitit, për të gjithë komunitetin futbolldashës matjan, stafin teknik, futbollistët, por veçanërisht për sulmuesin Robin Hoti, që përkoi me 19-vjetorin e tij të lindjes. Për të ky është sezoni i dytë që aktivizohet me ekipin e parë. Ai është produkt i akademisë së Burrelit dhe shihet si një i ri i talentuar që i është besuar nga trajneri Bicaj një vend në formacionin bazë të Burrelit në shumë ndeshje. Hoti është një lojtar i shpejtë dhe spikat për aftësitë e tij tekniko-taktike, por dhe inkursionet personale që merr dhe bashkë me kapitenin Farruku, përbëjnë vijën sulmuese të matjanëve.

Lojtari shprehet për koincidencën e fitores me ditëlindjen e tij: “Fitorja e ekipit ishte vërtetë një koincidencë e bukur dhe mbresëlënëse për mua. Do të kisha dëshirë të shënoja, por fitorja e ekipit më entuziazmoi pa masë, si dhe ma zbukuroi ditëlindjen time”. Ndërsa në lidhje me ecurinë e ekipit dhe besimin që i është dhënë për të qenë në jo pak raste pjesë e formacionit bazë, Hoti shprehet: “Falënderoj trajnerin Bicaj për besimin që më ka dhënë. Unë jam përpjekur ta justifikoj me lojë. Stërvitem me intensitetin e kërkuar me synimin për të marrë maksimalen në stërvitje dhe shprehur atë në fushën e lojës.

Ndihem mirë teksa luaj krah Farrukut, që më inkurajon dhe mbështet. Edhe lojtarët e tjerë janë shumë dashamirës me mua, siç jemi të gjithë si grup me njëri-tjetrin. Ekipi ynë me lojërat e tij po dëshmon gjithnjë e më tepër, forcën e grupit dhe do të jetë një skuadër që do të befasojë në këtë kampionat”, përfundon për “Panorama Sport”, sulmuesi Robin Hoti, që ditën e ndeshjes Lushnja-Burreli mbushi 19-vjeç.

MARTIN DEDAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"