Mbyllet muaj i makthit, Flik: Nuk u vë faj gjyqtarëve, duhet të luajmë ne më mirë…
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flik, me shumë gjasa ka dashur që nëntori të mbaronte një orë e më parë. Sepse fundi i muajit që lamë pas ka qenë vërtet për t’u harruar për Barcelonën e tij që ka lënë 8 pikë përballë rivalëve në garën për titull. Dy humbje dhe një barazim që pothuajse kanë zëruar epërsinë në renditje të katalanasve. Ndaj Flik shpreson që bashkë me dhjetorit të vijë edhe reagimi i skuadrës, duke nisur nga sonte në mbrëmje (19:00) kundër Majorkës.
MAJORKA – “E mira është që nëntori ka mbaruar dhe jemi në dhjetor! Skuadra ka dhënë shumë. Kemi pasur intensitet në mesfushë, dominim, kemi krijuar mundësi. Mund të krijojmë raste, por nëse nuk i finalizojmë… Ne duhet të mësojmë sepse jemi një ekip i ri. Por duhet të marrim dhe përgjegjësi për humbjet”.
RËNIA – “Kundër Las Palmasit ndodhën shumë gjëra, por nuk dua të futem në detaje. Mund të duket sikur po ankohem ose po justifikoj. Skuadra mund të fitonte dhe ne nuk ditëm si ta bënim. Dhe kjo është arsyeja pse ne kemi presion. Duhet të jemi të përqendruar dhe është e rëndësishme që të jemi më konkretë në sulm. Është e rëndësishme të materializohen rastet. Skuadra u përpoq të kishte topin, por në futboll numërohen golat dhe kohët e fundit nuk kemi shënuar shumë”.
ARBITRIMET – “Unë nuk mendoj se kjo më prek mua, nuk më shqetëson. Gjithçka varet nga ne. Nëse luajmë më mirë, fitojmë. Unë nuk dua të merrem me gjyqtarët dhe t’ua hedh atyre fajin për rezultatet tona”.
RROTACIONET – “Pas ndeshjes kundër Las Palmasit mendova për ndryshime, për pushime. Por sot (dje) i pashë djemtë mirë, të gjithë janë gati. Të gjithë janë mirë. Është një shenjë e mirë. Më duhet të vazhdoj të mendoj. Janë tre ndeshje radhazi në pak ditë, por futbolli është i tillë dhe ata janë mirë”.
SHEZNI – “Ai është stërvitur shumë të mirë, por tani nuk kam në plan të ndryshoj portierin. Injaki Penja është portieri titullar, e kam thënë tashmë edhe herë të tjera”.
VIZITA E LAPORTËS – “Ai ishte për të na bërë një vizitë, por nuk ka ndonjë gjë të veçantë, nuk është hera e parë. Ne biseduam. E urova për 125 vjetorin, ishte shumë i organizuar, donim t’i bënim një dhuratë. Unë fola për ecurinë e skuadrës. Nuk më pëlqen humbja, nuk më ka pëlqyer kurrë. Duhet të krijojmë më shumë nga ai mentalitet luftarak në ekip për të fituar ndeshjet. Ndonjëherë, ne bëjmë mirë, por mendoj se ka vend për përmirësim”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"