“Me afrime cilësore në janar, ekipi do të vuloste ngjitjen”, eksperti Bubeqi: Sulmi i Besës çalon në 20 metrat e fundit
Nëse ka një lojtar verdhezi pas Dashnor Bajazitit, që njeh “dhëmbë e dhëmballë” rolin e qendërsulmuesit, ky është Dorjan Bubeqi. Trajner i shumë ekipeve, që nga Besa, Korabi, Erzeni, Kastrioti, Burreli. Madje, është golashënuesi i vetëm shqiptar që vite më parë hyri në listën e golashënuesve më të mirë të kampionateve në Europë.
Kastrioti – Së fundi, ai drejtoi për disa javë Kastriotin dhe dha dorëheqjen pas fitores së krutanëve në Shijak. I pyetur rreth kësaj dorëheqje ai përgjigjet. “Ishte një largim për arsye personale dhe në mirëkuptim me drejtuesit e Kastriotit. Gjykoj se nga lojërat që kam parë, Kastrioti duhet të kishte aktualisht më shumë pikë, pasi loja nuk është përkthyer si duhet në pikë”, tha ai.
Besa – Bubeqi, si kavajas dhe ish-trajneri që vjet shpëtoi nderin e Besës në ndeshjet “play-out” ndaj Luftëtarit, ndjek dhe përjeton edhe fatin e verdhezinjve. Ai çmon grupin si më të mirin e dekadës nga koha kur Besa garon në Kategorinë e Parë. “Kam drejtuar disa herë Besën dhe e them hapur, se kurrë nuk kam pasur në dispozicion një grup me emra të tillë. Baza e ekipit, veçmas prapavija, ka në përbërje futbollistë që kanë mbi shpinë vite të tëra karriere e përvoje. Është kjo arsyeja që kavajasit kanë pësuar vetëm 3 gola, madje 2 prej tyre në Fier dhe ndaj Valbonës, mund e duhet të ishin evituar.
Po kështu, gjykoj se mesfusha ka lojtarë cilësorë, që ndaj kujtdo arrijnë të dalin lirshëm deri në 20 metrat e fundit në hyrje të zonës, por aty fatkeqësisht bie rreziku i manovrës, pasi mungon njeriu që pranon pasimet dhe godet. Është munduar Kanu, por nuk ka atë elasticitet, lëvizshmëri, kthesa e të tjera që i duhet një sulmuesi goli. Ju e dini se kam shënuar gola në çdo pozicion, por duke ditur të çmarkohem, marr pasime direkt edhe pas shpine dhe kam përfituar të godas portën. Kjo nuk ndodh te Besa. Shihni autorët e golave të shënuar. Nëse Besa do të kishte një sulmues “vrastar”, ju siguroj se jo vetëm do ishte në krye, por gjykoj se në Lushnjë, Shijak, me Vorën të paktën, do kishte marrë së paku 7 pikë nga 3 që ka marrë”, deklaroi Bubeqi.
Merkato – Si një trajner që nuk heziton t’i thotë gjërat hapur, pasi Besa i “djeg”, ai flet dhe për nevojat në merkato që Besa ka. “Kush trajner nuk do të donte të kishte në stol futbollistë konkurrentë për çdo post. Te Besa kjo nuk ndodh dhe Josa ka qenë i detyruar të luajë plot 12-të javë thuajse me 11-të futbollistë. Bie fjala, mbrojtës të majtë alternativë përveç Nurjes nuk ka. Mungon një lojtar “10”-të organizator, dhe Oliveira apo Stafa nuk janë të këtij roli. Po ashtu sikurse thashë më lart, mungon një qendërsulmues që do kurorëzonte lojën sulmuese të Besës.
Nuk mund të priten gola vetëm nga Mazrekaj, që në fakt është fat për Besën që e ka e që i ka dhuruar shumicën e pikëve. Uroj e shpresoj, që në janar presidenti Bizhdili, që kurrë nuk ka kursyer për Besën e po ashtu bashkia me përkushtim si asnjë vit tjetër, të bëjnë ato afrime të cilat do sillnin dhe arritjen e objektivit madhor. Ndoshta edhe me këtë grup mund të arrihej një nga 2 vendet e para, por jemi në Shqipëri dhe garancia e vetme mbetet ekipi yt dhe e djersa jote. Një Besë me afrime të tjera cilësore në janar do të “vuloste” përballë çdo situatë sido të vijnë ato, rikthimin në Superiore”, deklaroi Dorian Bubeqi.
FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"