“Me ekipin që kemi sot, edhe të vijë Brazili nuk mundemi”, Agustin Kola i thur elozhe Kombëtares: Më e mira e të gjitha kohëve
Agustin Kola është i bindur: kjo e Silvinjos është Kombëtarja më e mirë e të gjitha kohëve. Ish-futbollisti i shquar i kuqezinjve, në një intervistë për “Sport News” në “News 24” vlerëson ekipin aktual, i cili tashmë ka rritur shumë nivelin dhe pritshmërinë ndaj tij.
Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, Kola ka shprehur bindjen që ka se kjo skuadër tashmë është e vështirë të mundet edhe nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, ndaj është një sinjal i dukshëm i progresit që ka bërë.
Kola, kaq shumë ka ndryshuar mentaliteti, tani të gjithë besojnë te fitorja ose te rezultati pozitiv, është zhdukur termi të “humbasim me nder”…
Nuk është më ky mentalitet. Po të shikosh, lojtarët tanë luajnë në skuadrat më të mira të Europës. Unë mendoj se kjo kombëtare meriton notën 10. Ne presim nga shkalla e parë të shkojmë në të 10-tën. Vlerësoj stafin, trajnerin dhe të gjithë. Rinovimi i trajnerit ishte zgjedhja e duhur. Përse e them këtë? Në Europian kishim grup të fortë, luanim me kombëtare që kanë qenë Kampione Bote dhe Europe.
Çfarë të pëlqeu më shumë ndaj Ukrainës, çfarë të bëri më shumë përshtypje?
Ekipi ishte mirë fizikisht, teknikisht dhe taktikisht. Në këtë ndeshje luajtën lojtarët me përvojë, gërshetoi të vjetrit me të rinjtë. Ka mjaft kritika, por ne fituam.
Nuk foli askush për mungesat, nuk u ndje fare mungesa e Gjimshitit, nuk po flas për Brojën, Dakun etj, por për kapitenin. A është ky çelësi i suksesit të këtij ekipi, një grup i gjerë dhe cilësor?
Ishin këto lojtarët e vjetër po me përvojë. Për mua atë ditë e kanë bërë një ndeshje që nuk e kam parë deri më sot. Çelësi i suksesit është grupi. Gjithmonë i ngacmojmë trajnerët.
Kemi filluar të thyejmë shumë tabu, nuk kishim fituar kurrë kundër Ukrainës, a ka më dyshime në këtë pikë, a është ky ekipi më i mirë i të gjithë kohërave?
Po ta shikosh, për mua është ekipi më i mirë, hiq ekipin e Lorikut e këtyre të tjerëve që bënë histori. Kjo është historia e ekipit kombëtar. Rinovimi i Silvinjos ishte diçka pozitive.
Të gjithë flasim për Botërorin, duket një objektiv fiks. Si mendon Kola, do ta arrijmë? Sa shanse kemi, apo i duhet dhe pak kohë për t’u “pjekur” si grup?
Me ekipin që kemi sot, të vijë Brazili këtu nuk mundemi. Ne hyjmë gjithmonë për fitore, kjo është meritë e trajnerit. Kemi sot ndeshjen, unë them se edhe me barazim jemi të lumtur.
Kola, duhet t’i druhemi Gjeorgjinë, nuk na ka ecur në fakt në të kaluarën, ke frikë se mund të na marrin pikë?
Duhen vlerësuar të gjithë kundërshtarët, sado i dobët të jetë.
Me ndeshjet e para që dhuroi grupi jonë, a mendon se kanë ndryshuar balancat, sa shanse ka Shqipëria për të fituar grupin?
Ne nuk futemi më të ekipet e dobëta. Ne jemi më lart, kjo tregon një arritje të futbollit shqiptar. Ne duhet të rrezikojmë për të fituar. Trajnerit nuk i duhet vendosur faj, duhet ta lëmë që të punojë.
Më jep një parashikim, si del ndeshja sot?
Hyjmë për fitore, por jam i lumtur edhe me barazim. Nuk dua të mundemi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"