“Më kënaq ecuria e Flamurtarit, e dua me përulje në çdo javë”. Agostineli: Vendi i parë, jo shqetësim i Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2024 | 10:28

“Më kënaq ecuria e Flamurtarit, e dua me përulje në çdo javë”. Agostineli: Vendi i parë, jo shqetësim i Flamurtarit

Andrea Agostinelin nuk e shqetëson fakti se në limite u “iku nga duart” vendi i parë, duke iu referuar fitores së Besës në Fier në limitet e ndeshjes. Për trajnerin italian të Flamurtarit kjo gjë nuk ka rëndësi për momentin.

AGOSTINELI

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Agostoneli thotë, se skuadra e tij po rritet, por çdo ndeshje në vijim do të jetë e vështirë. Ai është i bindur se kundërshtarët e shikojmë skuadrën e tij si kryesuese dhe mobilizohen, ndaj thirrja e tij për futbollistët është që ata të shikojnë çdo ndeshje si finale.

Agostineli, vendi i parë iu iku në limite, pasi Besa fitoi në Fier. Keni një koment?

Vendi i parë nuk është shumë nevojë në këto momente. Mua më kënaq vetëm faktin i ecurisë së skuadrës time. Ne duhet të bëjmë më të mirën tonë në çdo ndeshje, për të arritur objektivin madhor që kemi. Kështu që, kjo pjesë nuk është se më preokupon shumë, pra çështja e kryesimit. Duhet të vijojmë këtë rrugë të nisur.

Si e përshkruani ndeshjen me Valbonën?

Ishte një nga ndeshjet më të mira që kemi zhvilluar. Ekipi po rritet dhe po më bind në çdo ndeshje. E thashë edhe pas atij takimi, që kjo fitore është një kënaqësi për djemtë. Unë jam shumë i lumtur për ndeshjen që ata luajtën. Po të shikosh të gjithë rrjedhën e lojës, topin e mbajtëm gjithmonë ne dhe nuk i dhamë as një herë kundërshtarit shansin që të shënonte. Krijuam shumë raste për gol. Më gëzon fakti që ky ekip është duke funksionuar. Luajtën në temperatura të larta dhe sërish dhanë më të mirën e tyre.

Çfarë prisni nga fundjava, ku luani në transfertë kundër Korabit?

Çdo ndeshje në vijim është e vështirë. Duhet respekt ndaj çdo kundërshtari, si dhe vlerësim shumë i madh. Ata na presin në renditje edhe si vendi i parë dhe mobilizohen. Ndaj, ne duhet të shkojmë në çdo takim pa eufori dhe me përulje të madhe.

Të vështira ndeshjet jashtë Vlorës?

Në ndeshjet në transfertë duhet të bëjmë maksimumin. Normalisht, janë takime të vështira, por edhe ato që luan në fushën tënde janë po njësojë të vështira. Pra, të gjitha takimet duhet t’i shikojmë të barabarta si brenda ashtu edhe jashtë Vlorës.

Si të duket skuadra që drejton pas pesë fitoreve rresht?

Djemtë i shikoj shumë mirë dhe të përulur. Kohët e fundit duket që jemi të gjithë në formë.

Ju shqetësojnë dëmtimet që keni?

Shpresoj që të na rikthehen disa lojtarë të rëndësishëm që nuk kemi në dispozicion për momentin. Gjithsesi, kam zgjedhje dhe lojtarë që bëjnë diferencën.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"