“Me Laçin nuk fitoi me gola të punuar”, Samuel Nikaj: Vllaznia pa plan B, e vështirë kundër Partizanit
Samuel Nikaj, trajneri i mirënjohur shkodran, ka folur së fundmi në një intervistë për “Panorama Sport”. Ish-numri një edhe i pankinës kuqeblu në të shkuarën, analizoi për gazetën duelin e fundit Vllaznia-Laçi. Ai thekson se shkodranët morën atë çfarë vlen, pikët.
Por loja sipas tij nuk ishte në nivelin e duhur. E kjo e kushtëzuar edhe nga dëmtimet e mungesat e shumta të Vllaznisë. Po ashtu ai shpreh edhe mendimin e tij për ndeshjen e radhës kundër Partizanit, ku pret një ndeshje shumë të fortë për skuadrën e Brdariç.
Nikaj, si ju duk Vllaznia në ndeshjen e fundit kundër Laçit? Fitore e merituar?
Të them të drejtën, Laçi iu përgjigj siç duhet Vllaznisë. Në pjesën e parë madje ata ishin kontrollues të lojës, ku kishin edhe dy mundësi për të kaluar në avantazh. Kurbinasit kanë marrë fytyrë tjetër me Moreiron në stol. Por Vllaznia në fund mori atë çfarë vlen në futboll.
Fituesi nuk gjykohet, apo jo?
E vërtetë se nuk gjykohet, por analizohet si erdhi ky sukses. Në syrin tim Vllaznia shfrytëzoi cilësitë individuale të lojtarëve të saj dhe gabimet e kundërshtarit. Goli i parë erdhi si meritë personale e Dodajt, ndërsa i dyti pavarësisht goditjes fantastike të Delajt erdhi si pasojë e një pasimi të gabuar në prapavijën laçiane. Pra, nuk ishin gola ekiporë apo të punuar në stërvitje dhe ndeshja u zgjidh nga episodet që kuqeblutë i shfrytëzuan në maksimum.
Pozitiv ky aktivizim i të rinjve në radhët e kuqebluve?
Patjetër që po dhe duhet të vijojë edhe kur të rikthehen të dëmtuarit. Si Delaj dhe Dodaj kanë cilësi, apo edhe të tjerë aty, por po specifikoj këtë dyshe, sepse kanë marrë minuta. Ata mund të luajnë edhe së bashku në formacion e të funksionojë.
Ekipi është brenda çdo objektivi, por sërish kërkohet më tepër…
Ngaqë ka shpresa të mëdha te ky ekip dhe cilësitë që kanë futbollistët. Por kjo skema “Final 4” të “relakson” pak dhe ndoshta të lejon për të gabuar. Vllaznia për momentin është e sigurt në katërshe dhe pozitive është thellimi i diferencës në pikë me vendin e 5-të.
Mund të justifikohet loja jo në nivelin e duhur, për shkak të mungesave të shumta?
Kjo është një arsye madhore, sepse trajneri është dashur të ndërrojë formacionin çdo herë. Vllaznia nuk është prezantuar asnjëherë dy herë radhazi me të njëjtin formacion dhe shumë futbollistë nuk kanë luajtur në rolet e tyre natyrale. Fakt që ndikon te performanca e skuadrës në fund.
Çfarë mund të ndryshojë ose përmirësojë skuadra?
Skuadra duhet të dijë të ndryshojë ritëm. Është shumë e ngadaltë dhe e lexueshme në manovrën e saj. Ekipi pret të shfrytëzojë ndonjë gabim të kundërshtarit, por ato jo gjithmonë vijnë. Po ashtu më duket shumë e varur nga Balaj, nëse ai është në një ditë “jo”, loja çalon. Nuk shoh plan B ose C për kuqeblutë gjatë zhvillimeve të ndeshjeve.
Mundet kjo Vllazni të realizojë objektivin e madh, pra titullin kampion?
Unë dua që Vllaznia të përmirësohet nga ndeshja në ndeshje. Dhe si shkodran, patjetër që kam dëshirë që ekipi të rikthejë titullin në Shkodër.
E mbyll me Partizanin vitin 2024, si e mendoni këtë duel?
Partizani nuk është Laçi, me gjithë respektin për kurbinasit. Janë ekip me cilësi dhe futbollistë me eksperiencë, që dinë të zgjidhin situata. Parashikoj ndeshje të fortë dhe të luftuar, ku e shoh shumë të vështirë për Vllazninë, duke parë edhe mungesat që ka. Por ekipi ka ditur të shprehet mirë ndaj ekipeve të mëdha këtë sezon dhe mund ta tentojë marrjen e një rezultati pozitiv.
ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"