Më në fund buzëqesh edhe Korabi, Mziu e Marku mposhtin Kukësin në derbin e luajtur në Peshkopi
Korabi ka reaguar në javën e 17-të të kampionatit, ku triumfuan në shtëpi ndaj Kukësit. Skuadra dibrane e ka mbyllur me fitore ndeshjen e fundit të këtij viti. Korabi fitoi në shifrat 2-1, ku të tre golat u shënuan në pjesën e dytë, fillimisht Mziu dhe Marku për vendasit, si dhe Beshiraj për kuksianët.
Ndonëse jo në shkëlqimin e ballafaqimeve të para viteve ’90-të, ndeshja e së shtunës, pavarësisht motit të mirë, nuk u ndoq nga rreth 300 të pranishëm në shkallët e stadiumit.
Ndeshja- Pjesa e parë u zhvillua e barabartë. Loja u përqendruar më tepër në sektorët e mesfushës, por me një epërsi të lehtë të skuadrës vendëse. Edhe pse ju afrua disa herë zonës, për mungesë finalizimi dhe mbrojtjes së ngjeshur të miqve, Korabi nuk mundi ta ndryshojë rezultatin. Pjesa e dytë nisi me ndryshime në formacionet respektive. Vendësit në minutën e 47-të e shohin veten në avantazh me anë të Markut, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Pavarësisht kësaj, dibranët nuk dekurajohen. Ata shtojnë presionin në portën mike dhe në të 51-ën, e shohin veten në avantazh. Mziu shfrytëzon një kros nga e majta e sulmit dhe me kokë në qendër të zonës shënon, 1-0 për Korabin.
Ende pa u shuar entuziazmi i golit të parë, Peralta shpërdoron një rast “të artë”, edhe pse në afërsi të portës nuk ia del të finalizojë. Topi përplaset në traversë. Goli i dytë i vendasve mban firmën e Taulnat Markut, i cili u tregua i saktë në afërsi të portës. Nuk do të vonojë shumë dhe në të 62-ën, Beshiraj shkurton diferencën e golave për Kukësin dhe rihap ndeshjen. Goli i pësuar mobilizon dibranët, por me gjithë volumin e krijuar nuk ia dalin. Me fitoren e arritur, skuadra e Canajt mori një trepikësh me shumë vlera në luftën për mbijetesë. Kalendari në vazhdim rezervon përballje të vështira për të besuarit e Canajt. Fillimisht në 2025-ën do të udhëtojnë drejt Vlorës, ku do të ndeshen me Flamurtarit pretendent dhe më pas do të presin Valbonën në shtëpi.
KORABI – KUKËSI 2-1
GOLAT: Mziu 51′, Marku 55’/ Beshiraj 62′
KORABI: Qyrani, Paplekaj, Kurti, Andoni,Stanaj, Hasa, Kryemadhi (Reçi 46′), Mziu (Sina 80′), Buci (Ndrejaj 79′) Marku (Shehu 59′), Peralta (Fida 62′); (Në dispozicion: Alla, Lushaku, Pjetri, Çema, Tasho). Trajner: Agim Canaj
KUKËSI: Dervishaj, Lamellari, Kapllanaj, Dragoshi ( Ouen 59′), Sulçe, Yusuf (Mejdani 46′), Hilaj, Metani (Momoh 59′), Danaj (Pica 59′), Nasir (Selita 46′) Beshiraj; (Në dispozicion: Domi, Lala, Birçaj). Trajner: Bekim Kuli
Karton i verdhë: Yusuf 29′
Gjyqtarë: K. Prenga (Laç), D. Përndreca R. Vukaj (Lezhë)
Vëzhgues: Engjëll Pjetrushi (Lezhë)
Delegat: Justin Bespalla (Durrës)
NDERIM GOCI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"