Më në fund Erzeni, i jep Besës “ujë në bisht të lugës”. Kuli: Ishte dramë, ndëshkuam veten me tre gola
Futbolli të jep leksione, që nuk i sheh as në ëndrrën më të keqe. Kështu i ka ndodhur Besës, teksa u mund në shtëpi nga Erzeni i vendit të fundit, që mori fitoren e parë sezonale. Kavajasit dëshmuan më qartë se kurrë se nuk kanë lojtarë goli, duke shpërdoruar raste që as lojtarët amatorë nuk mund t’i bënin. Erzeni, duke ditur forcat e veta, besoi, luftoi dhe ia doli edhe me “dhuratat” e kavajasve.
Si asnjëherë më parë në këtë sezon, Besa e sheh veten plot 8 pikë larg Vorës kryesuese dhe 3 pikë ndaj Flamurtarit me 1 ndeshje më pak. Një humbje që nuk e pranon askush në Kavajë dhe një hap pas në objektivin e saj për ngjitjen në Superiore.
NDESHJA- Para ndeshjes ra në sy mungesa për herë të parë e kapitenit Mentor Mazrekajt për arsye shëndetësore. Edhe trajneri Çela nuk ishte në stol për shkaqe kartonësh dhe Besa u drejtua nga Bekim Kuli. Kavajasit e nisën mbarë takimin, pasi që në minutën e tretë shënuan me qendërmbrojtësin Abdulai, pas dy përpjekjeve të Frashërit e Oliverës. Me këtë gol të shpejtë u mendua se do ishte një fitore e lehtë dhe me goeleadë, pasi edhe rastet flagrante të vendasve ishin të shumta. Fillimisht Oliveira dhe më pas Kanu shpërdorojnë. Miqtë japin sinjalin e parë me Xhekën në minutën e 8-të, por pret Mehidri. Aleksandre në të 23-ën del i vetëm me portën, por habit teksa nuk godet, por kërkon të avancojë. Një mbrojtës ia rrëmben topin.
Atë që nuk e bën Oliverira e bën Goxha në portën e tij, teksa në një kërcim në luftë për topin pas krosimit të Lajthisë, shkakton autogol dhe 1-1. Besa e dominon totalisht lojën dhe pritej goli i dytë, por në minutën e 43-të ndodh “hataja”. Nurja kthen një top te portieri Mehidri, i cili ngatërrohet me këmbë e duar. Aty përfiton Xheka që godet portën pa portier dhe shënon. Në shifrat 2-1 për Erzenin u mbyll pjesa e parë. Fraksioni i e dytë nis njësoj, me Besën në sulm, ndërsa Erzeni nuk qëndron i gjithi prapa, por shpreson te kundërsulmi me Xhekën e Lajthinë. Pikërisht kjo ndodhi në minutën e 64-t, ku Hodo pas një topi të kthyer gabim nga mesfusha, vrapon drejt portës, godet duke shastisur t tifozët e pranishëm dhe 3-1 për Erzenin. Shijakasit marrin zemër dhe Hodo lëshon një “predhë”, por Mehidri arrin të shmangë golin e katërt në portën kavajase. Besa nuk ka çfarë të humbasë më shumë dhe shpërngulet e tëra në zonën mike. Këtë e vërteton edhe dalja si qendërsulmues i Goxhës dhe futja në lojë e Grecës.
Kavajasit qëndrojnë vetëm në zonën mike, por Erzeni bën mirë luftën në zonë duke menduar vetëm të largojë topat. Falë kësaj këmbëngulje, Besa gjen golin e dytë me Oliveirën në të 77- ën. Thuajse e tërë pjesa e mbetur e lojës kalon me raste të panumërta për verdhezinjtë. Spahiu, Frashëri, Greca, Kanu 3 herë, nuk arrijnë të gjejnë golin e barazimit. Mbyllet ndeshja duke lënë Besën me “gisht në gojë” në një sfidë që kushtëzon tashmë jo pak ecurinë e saj. Në fundjavë Besa do të udhëtojë drejt Vorës, ku do të ndeshet me rivalin vendas, që është shkëputur tashmë me 8 pikë diferencë.
BESA – ERZENI 2-3
GOLAT: Abdulai 3’, Oliveira 77’, Goxha 37’(a), Xheka 43’, Hodo 64’
BESA: Mehidri, Frashëri, Goxha, Abdulai, Nurja, Migone(Gjinaj 46’), Stafa, Oliveira (Dabo 77’), Spahiu (Kapo 66’), Kanu, Aleksandre (Greca 53’); (Në dispozicion: Ahmetaj, Puqja, Ramilli). Trajner: Bekim Kuli Çela
Erzeni: Dema, Kortes, Baruti, Sallaku, Isteri, Brahja, Zaimaj, Kola, Hodo(Zenelaj 75’), Xheka (Tahiri 61’), Lajthia; (Në dispozicion: Arevalo, Çela, Cergani). Trajner: Ergys Luga
Kartonë të verdhë: Migone 35’, Stafa 57’, / Lajthia 46’, Dema 48’, Xheka 59’, Hodo 65’
Gjyqtarë: D.Maletaj, I.Cani (Tiranë), E.Pulaj(Vlorë)
Vëzhgues: Elis Kello (Korçë)
Delegat: Engli Kokona (Tiranë)
Kuli: Ishte dramë, ndëshkuam veten
Në dy sfidat me Erzenin, Besa ka marrë vetëm 1 pikë, gjë e cila mund t’u kushtojë kavajasve për ngjitjen në elitë. Në mungesë të trajnerit Çela, i pezulluar nga kartonët, Besa u drejtua nga ndihmësi i tij Bekim Kuli, ku në fund bënë “harakirin” duke u mundur në shtëpi. Pa disfatës trajneri Kuli për “Panorama Sport” u shpreh: “Çfarë të them, ishte dramë. Shënuam që në fillim, patëm raste ta çonim ndeshjen në 2-0, 3-0. Më e rënda, i shënuam ne 3 golat në portën tonë. I pari autogol, i dyti gabim në pasim e kontroll topi, i treti pasim prapa. Erzeni nuk bëri asgjë, të gjitha i bëmë vete. ‘Dhurata prapa’, ose thënë ndryshe: Merre bëj gol ti, se unë nuk di të shënoj. Çfarë të them më tepër”.
Luga: I kishim studiuar, ja si ia dolëm
Erzeni ia bën “bam” atëherë kur nuk pritej, pasi fitoren e parë sezonale e arriti në transfertë ndaj Besës pretendente. Pas suksesit të parë, trajner Ergys Luga për “Panorama Sport tregon se si ia dolën shijakasit. “E kishim studiuar mjaft mirë Besën dhe ishim të vetëdijshëm se do e kishim të vështirë përballë saj. Kërkuam të bllokonim pikat më të forta të lojës së kavajasve. Me përjashtim të 10 minutave të para, më tej bëmë të paprekshëm sulmuesit e verdhezinjve. Besuam, luajtëm me qetësi dhe me kundërsulm shënuam 3 gola. Mund të shënonim edhe 4 të tillë. Erzeni luajti mirë edhe me Dinamon dhe ndaj Besës loja na u shpërblye”, u shpreh trajneri Egys Luga.
FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"