Me rivalët direkt luajnë jashtë fushe/ Te Lushnja bëjnë llogari për shpëtimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2023 | 22:02

Me rivalët direkt luajnë jashtë fushe/ Te Lushnja bëjnë llogari për shpëtimin

Lushnja po lufton për të siguruar një vend në Kategorinë e Parë, që sezonin e ardhshëm që do të jetë me 12 skuadra. Verdhejeshilët ndodhen në zonën e rënies, gjashtë ndeshje para mbylljes së kampionit.

LUSHNJA

Janë -1 nga “play out”-i dhe -3 nga zona e shpëtimit. Finishi servir një kalendar të fortë për skuadrën e Klevis Dalipit, që tre transfertat e mbetura do t’i luajnë ndaj rivalëve të tyre për mbijetesë. Fati i lushnjarëve mund të vendoset jashtë shtëpisë, teksa do të luajnë në fushën e skuadrave të Luzit, Tërbunit dhe Orikut.

Rëndësi kanë edhe takimet në “Roza Haxhiu” dhe këtë në kamp e dinë fare mirë. Pasi të luajnë më Besën, do të presin dy skuadrat që pretendojnë ngjitjen direkte në Kategorinë Superiore.

Fillimisht Dinamon e vendit të dytë dhe më pas Skënderbeun kryesues. Një kalendar me të vërtetë i zjarrtë për lushnjarët, ndaj mbetet e vështirë të parashikohet vazhdimësia. E megjithatë, rendësi ka që në ekip të gjithë besojnë. Stërvitjet kanë vijuar me intensitet të lartë edhe dje.

Trajneri po mundohet që të perfeksionojë manovrën në të dyja fazat e lojës. Me shumë interes po shihet edhe gjendja e tre të dëmtuarve, që janë në proces rikuperimi. Shpresohet që ndonjë mes Dejan Andonit, Elis Doksanit dhe Ergys Alushit të jetë gati për të shtunën.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"