“Më shijoi fitorja në fund”, presidenti i Vllaznisë: Shqetësohem që gjyqtari nuk pa as VAR-in për një rast penalltie të dukshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2024 | 9:57

“Më shijoi fitorja në fund”, presidenti i Vllaznisë: Shqetësohem që gjyqtari nuk pa as VAR-in për një rast penalltie të dukshme

Vllaznia arriti të marrë një trepikësh të çmuar në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, falë golave të Malës dhe kapitenit Balaj. Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, e ka ndjekur nga Torino ndeshjen e fundit me Teutën, ku kuqeblutë fituan 1-2.

ALBAN XHAFERI 1

Ai ishte pjesë e delegacionit që shoqëroi Vllazninë e femrave në miqësoren me Lionin. Për këtë arsye nuk ishte i pranishëm në Durrës, megjithatë e ka shijuar fitoren e ekipit të tij, pasi ajo erdhi në minutat shtesë. Në një intervistë për “RTSH Shkodra”, presidenti i Vllaznisë ka folur për këtë sukses dhe objektivat e këtij sezoni.

Z.Xhaferi, tri pikë me shumë vlera ato që Vllaznia mori në fushën e Teutës…?
Të them të drejtën, ishte një fitore e bukur, që na ka gëzuar shumë. Më shijon më shumë fitorja, sepse erdhi në minutat e fundit. Ishte një ndeshje që pati dy tablo: një pjesë e parë shumë e mirë dhe e dominuar totalisht nga ekipi ynë, ndërsa në të dytën ishte Teuta që pati momente më të mira. Por në fundin e lojës treguam karakter dhe ia dolëm të marrim një fitore me shumë vlera.

Një gol i anuluar, por edhe një 11-të metërsh, që mund të ishte dhënë për Vllazninë. Cili është komenti juaj?
Nuk kam dëshirë të komentoj veprimet e arbitrave. Ata ashtu mund ta kenë gjykuar, por ajo që më shqetëson është se ishte edhe një moment shumë i dyshimtë për një 11-metersh të padhënë për pengim në zonë të Delajt. Arbitri nuk mori mundimin as ta shikojë në VAR atë episod dhe kjo më shqetëson.

Këto tri pikë ju mbajnë në krye të tabelës së renditjes pas këtyre 5 javëve?
Ne duhet që të shohim përpara. Thjesht kjo ishte ndeshja e radhës dhe duhet të mendojmë menjëherë për Bylisin.

Tani kërkohet vazhdimësia?
Patjetër që po. Kjo duhet në çdo ndeshje.

Objektivat e Vllaznisë për këtë sezon janë titulli dhe Kupa e Shqipërisë?
Objektivat e Vllaznisë janë gjithmonë për titullin kampion, por është shumë herët për të menduar gjëra të tilla. Ne duhet të fokusohemi vetëm te ndeshja e ardhshme, ajo ndaj Bylisit që do ta kemi në fushën tonë në Shkodër.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"