Mërgjyshi bazohet te titullarët e edicionit të fundit. Apolonia, ja si projektohet formacioni për startin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2024 | 15:40

Mërgjyshi bazohet te titullarët e edicionit të fundit. Apolonia, ja si projektohet formacioni për startin

Dy ditë na ndajnë nga starti i kampionatit dhe emocionet e garës kanë filluar të ndihen më shumë. Apolonia e nis të shtunën ndaj Vorës në transfertë. Një provë e rëndësishme për të kuptuar se çfarë mund të bëjnë fierakët në sezonin e ri, ku ambiciet janë më të mëdha. 

apolonia stervitje

Klubi ka bërë lëvizje të shumta në dalje dhe të pakta në hyrje. Megjithatë, qëllimi mbetet i njëjtë, për të ndërtuar një Apoloni konkurruese dhe e denjë për t’u ngjitur në Superiore. Nisur nga merkato, fierakët kanë konfirmuar disa nga të rinjtë e perspektivës, si Rajab, Kofi, Musa dhe Injehu. Përveç tyre, tek Apolonia kanë ardhur edhe lojtarë të tjerë si portieri Kaçaj, apo të rinjtë Ramadani, Zhozef dhe Ola. Duke shtuar edhe disa të tjerë të rëndësishëm në sezonin e kaluar, si Bushi, Repaj, Ndubuisi, Asllanaj, Hebeja, Shanaj, Topi, Rakipaj, Bejzade, Trifoni, Maksuti e Umejiego, Apolonia mund të jetë me siguri një nga skuadrat pretendente në sezonin 2024-2025 në Kategorinë e Parë.

Edhe pse janë bërë disa lëvizje nga grupi i lojtarëve, sërish baza e formacionit mbetet ajo e edicionit të fundit. Për ndeshjen e parë kundër Vorës, pritet që Apolonia të ketë vetëm tri “hyrje të reja”, nga një për secilin repart. Portën do ta mbrojë Aldo Bushi, portieri i dytë i sezonit të fundit. Në mbrojtje, Repajt, Ndubuisit dhe Asllanajt u bashkohet Bernardin Kofi, i konfirmuar këtë verë te fierakët. Në mesfushë futet Shanaj dhe nëse trajneri Mërgjyshi zgjedh të luajë me tre lojtarë në këtë repart, atëherë do të plotësohet me Hebejën dhe Jasinin, të dy titullarë në sezonin e shkuar.

Në sulm ka rivalitet, Trifoni është i sigurt në krahun e majtë, ndërsa në të djathtë mund të jetë i favorizuar Musa. Maja e sulmit i takon Umejiegos. Kandidat potencial për sulmin është edhe Kevin Injehu, i cili ka treguar një formë shumë të mirë gjatë fazës përgatitore. Ky pritet të jetë pak a shumë ekipi që do të zbresë në fushë të shtunën në Vorë.

 

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"