Merkatoja e Dinamos, mesfushori i Kukësit rikthehet si pistë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2024 | 11:05

Merkatoja e Dinamos, mesfushori i Kukësit rikthehet si pistë

Mes lojtarëve kandidatë për t’u bashkuar me Dinamon para se të mbyllet merkatoja e verës është edhe mesfushori i Kukësit, Françesko Hasaj.

1-1-Hasaj

Blutë kanë nevojë edhe për një lojtar në mesfushë, teksa kjo u pa që në ndeshjen e parë me Egnatian, ku mungesa e Klevi Qefalijas solli një seri spostimesh. Hasaj në fakt nuk është një emër i panjohur te kryeqytetasit. Edhe më parë ata kanë shfaqur interes për lojtarin që ra në sy gjatë sezonit të kaluar me fanellën e Kukësit. Tani emri i tij, sipas burimeve të gazetës, është kthyer në “modë” dhe po diskutohet sërish për mënyrën e marrjes nga Kukësi. Gjithsesi, për momentin po vlerësohet si alternativë dhe nuk ka asgjë të sigurt për momentin. Ditët në vazhdim do të tregojnë më shumë për këtë pistë.

MESFUSHA DHE ALTERNATIVAT Përveç Hasajt, drejtuesit e Dinamos po shohin edhe një pistë tjetër për forcimin e mesfushës në pjesën ofensive të saj. Gazeta zbulon se ka kontakte me një lojtar shqiptar që ka luajtur në kampionate të huaja deri tani, por emri mbahet sekret për shkak të konkurrencës që blutë mund të kenë në merkato nga rivalët e Superiores. Për mesfushën këtë verë dinamovitët kanë afruar Bruno Ditën dhe të riun Adrian Doçi, por edhe Tiago Nani mund të luajë në këtë repart. Deri më 31 gusht Dinamo pritet të bëjë edhe një goditje në këtë repart, si dhe do të përforcojë detyrimisht mbrojtjen me të paktën një lojtar në qendër të saj. Ndërkohë, sulmuesi Françesko Dibra, pas disa ditësh stërvitje me Dinamon në Itali, mësohet se është larguar së fundmi, duke zgjedhur të vijojë karrierën me skuadrën e Mantovës në Serinë B.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"