EKSKLUZIVE/ Mesfusha e Partizanit duhet ribërë, dy emrat që kanë spikatur në Superiore kthehen në opsione për “Demat”
Pas largimeve të Magetit në verë dhe Rrapajt në ditët e fundit, Partizani duhet ta ribëjë mesfushën me lojtarë të të njëjtës peshë, me qëllim qëndrimin mes pretendentëve, por edhe përgatitjen për ndeshjet e Europës.
Janari është një treg shumë i vështirë dhe mundësitë janë të pakta, por së fundmi për të kuqtë kanë dalë dy opsione në tavolinë. Bëhet fjalë për Fernandon dhe Jonuzin, dy emra që kanë spikatur prej vitesh në futbollin shqiptar.
FERNANDO – Braziliani vetëm para pak ditësh ndërpreu kontratën me klubin e Sumgait në Azerbajxhan dhe ka dalë lojtar i lirë. Për të është hedhur në sulm Egnatia, por Partizani është gjithashtu një konkurrent i fortë. Është fakt që mes Partizanit dhe Fernandos ka pasur shkëndija gjatë verës, por palët patën diferenca sa i përket financave. Për të mbërritur te ish-i i rrogozhinasve Partizani duhet të dalë nga natyra e vet jo e ekzagjeruar e rrogave dhe të bëjë një përjashtim. Mbetet për tu parë sesi do të procedohet, me brazilianin, që në të shkuarën ka kërkuar 8-10 mijë euro në muaj.
JONUZI – Kuksiani aktualisht është nën kontratë me Tiranën, por në ditët në vijim pritet që palët të zgjidhin kontratën. Bardheblutë duan të ulin shpenzimet dhe mesfushori është mes më të paguarve në ekip. Nëse del, Jonuzi kthehet në opsion për disa klube, mes tyre edhe Partizani. 28- vjeçari mund të bëjë mirë rolin e mesfushorit difensiv, i mbetur vakant që nga ikja e Maget. Menaxhimin e tij e mbulon kompania e drejtuar nga Ilir Halili, bashkëpunëtor i Partizanit prej disa muajsh. Duhet theksuar se për kuksianin deri më tani nuk ka asgjë konkrete dhe gjithçka mbetet një projeksion i merkatos.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"