Mesfushori i Bylisit kërkon rezultatin e katërt pozitiv: Me Tiranën guxojmë për fitoren
Sfida me Tiranën do të jetë e një rëndësie të veçantë për Bylisin, pasi këtë sezon skuadra e trajnerit Nevil Dede do të guxojë që të bëjë katër rezultate pozitive radhazi.
Bylisi nuk ka pasur stabilitet këtë sezon, por skuadra duket se me përshtatjen e shumë nga lojtarëve të afruar gjatë merkatos, kanë përmirësuar dukshëm lojën, por edhe kanë marrë rezultate. Skuadra mallakastriote është ende larg pritshmërive, ndërsa ndaj bardhebluve do të synohet që të mos dalë pa pikë. Sfida me bardheblutë pritet që të konfirmojë ose jo forcën e Bylisit që ndaj Laçit e kërkoi fitoren, por që ishte e plogësht në sulm. E vetmja mungesë do të jetë ajo e Oforit në mesfushë, teksa pjesa tjetër nga sa është parë edhe në seancën e djeshme është “OK”. Kur kanë mbetur edhe tri ditë deri në duelin me bardheblutë, trajneri Nevil Dede dhe stafi i tij janë duke punuar shumë në aspektin psikologjik me skuadrën dhe djemtë.
PAPA – Laert Papa është në formën e tij më të mirë tashmë dhe gati që të rikthehet për të dhënë kontributin e tij ndaj Tiranës. Për “Panorama Sport”, Laert Papa ka folur rreth ndeshjes. “Kam qëndruar një periudhë jo të shkurtër larg fushave, sepse ishte një dëmtim që shkoi më gjatë nga sesa mendohej. Ndodhi kur isha në formën time më të mirë dhe kur unë isha në monitorim, sepse prisja edhe një ftesë nga U-21.
Megjithatë, ka ndeshje dhe shpresoj shumë që të bëj mirë në takimet e radhës për të qenë edhe unë pjesë e kuqezinjve në grumbullimin e radhës. Bylisi ka bërë mirë dhe unë përgëzoj skuadrën që ka ditur të reagojë dhe të marrë pikë të rëndësishme. Jemi një grup i unifikuar dhe kam besim se si skuadër do të bëjmë edhe më mirë. Fakti që luajmë shumë mirë edhe jashtë fushës dhe bëjmë mirë të jep shpresa se kemi shanse për të kërkuar ngjitjen në tabelën e renditjes.
Përballë kemi Tiranën, një duel që do e luajmë në një fushë neutrale dhe duhet që të guxojmë, të japim maksimumin dhe të synojmë rezultat pozitiv. Kemi një kalendar jo të lehtë por e atillë është formula. Duhet që të jemi vigjilentë, në mënyrë që të bëjmë sa më pak gabime sepse është momenti që të rikuperojmë pikët, të cilat i kemi lënë rrugës”, tha Laert Papa, mbrojtësi 20-vjeçar i Bylisit, i cili ka qenë një nga anësorët e dalluar në Superiore këtë sezon.
E. SALIU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"