Mesfushori kosovar zbulon: Te Skënderbeu erdha prej biznesmenit gjerman

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2024 | 13:22

Mesfushori kosovar zbulon: Te Skënderbeu erdha prej biznesmenit gjerman

Në Korçë prej ditësh diçka po zien në klub dhe si për të përforcuar lajmin e “Sky Sports” se një biznesmen gjerman kërkon të blejë 25 % të aksioneve të Skënderbeut, “Panorama Sport” ka zbuluar edhe një deklaratë që konfirmon edhe më shumë atë që pritet të ndodhë.erolind-krasniqi-rot-weiss-essen-2022-1674646065-100691Është pikërisht mesfushori kosovar, Erolind Krasniqi, ai i cili ka treguar pse zgjodhi Skënderbeun. Në një prononcim për mediat gjermane, 24-vjeçari zbulon se prishi marrëveshjen me klubin e ligës së katërt, Eintraht Norderstedt 03, pasi mësoi se te Skënderbeu do të investojë kompania “Hokulani Limited”. Ish-futbollisti i Kosovës U-21 tërhoqi vëmendjen në sezonin e fundit në Gjermani me FC Suderelbe.

“Pasi nënshkrova në Norderstedt, një ditë më vonë kam fluturuar në Kosovë me nënën time për të vizituar familjen dhe për të shijuar kohën e lirë. Mirëpo, më pas një telefonatë ndryshoi gjithçka. Ishte diçka që erdhi krejtësisht nga hiçi. Gjithçka që pasoi ishte e çmendur, pasi në anën tjetër të telefonit ishte Daniel Thomas Loitz”, tregon Krasniqi për biznesmenin gjerman, që e njeh nga koha kur u aktivizua në Esen.

Loitz e shoqëroi Krasniqin në ndeshjet e tij ndërkombëtare U-21 në Kosovë dhe është mbështetës i tij.

“Ai më kontaktoi dy ditë pas nënshkrimit me Eintraht Norderstedt dhe më ftoi mua dhe nënën time në Tiranë për të folur me presidentin, drejtorin sportiv dhe trajnerin e Skënderbeut të Korçës. Pati diskutime të mëdha dhe shpejt kuptova se ishte një mundësi e madhe për mua që të vazhdoja rrugën në Superioren shqiptare. Tek Skënderbeu mund të kem shansin që më pas të luaj për Kombëtaren e Kosovës dhe një ditë ndoshta mund të jem edhe në kualifikueset e Kampionatit Evropian apo Botërorit”, rrëfen kosovari, i cili prej ditësh stërvitet nën urdhrat e trajnerit Gvozdenoviç, por ende klubi i Skënderbeut në faqen zyrtare nuk e ka prezantuar si afrim.

Mesfushori mësohet se ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me Skënderbeun.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"